Lëvizja Vetëvendosje, ka përmbyllur sonte fushatën në Prishtinë për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Prishtinë, ku kandidati i kësaj partie për kryeministër ka thënë se partia e tij është rritur viteve të fundit.
“Ka shumë flamuj në këtë tubim madhështor sepse Lëvizja nuk është vetëm e jona. Lëvizja është si lum pa brigje. Ne s’e kontrollojmë dot rritjen e saj por ajo e kontrollon edhe veten edhe neve. Kjo fushatë zgjedhore ishte marramendëse me intensitetin e vet”, ka deklaruar ai.
Më tutje Kurti ka thënë se gjendja në Kosovë është e rëndë, pasi që sipas tij cdo i gjashtë qytetarë në Kosovë është i varfër.
“Si qeveri e re e Kosovës do ta gjejmë Kosovën në një gjendje shumë të rëndë. Qytetarët e kanë humbur besimin në shtet sepse nuk kanë pasur qeveri të mirë. Çdo i gjashti qytetar është i varfër. Dija është kapitali i vetëm që shumëfishohet duke u ndarë. Qeveria jonë do ta reformojë arsimin. Pa lexim s’ka dije. Do ta bëjmë atë kulturë e jo hobi. Mërgata jonë është motori ynë ekonomik”, ka deklaruar Kurti.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 6 tetor, pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës më 22 gusht./Gazeta Sinjali/