Lëvizja Vetëvendosje, dega në Podujevë, përmes një postimi në Facebook, kanë thënë se Agim Veliu me vetura të Ministrisë së Punëve të Brendshme, po angazhohet për manipulim të zgjedhjeve në Podujevë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Agim Veliu me vetura të ministrisë angazhohet për manipulim të zgjedhjeve në Podujevë.
Në shkolla të ndryshme të Podujevës ku edhe po zhvillohet procesi zgjedhor, në secilën nga ato janë parë deri tani 16 vetura të Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilat po keqshfrytëzohen nga LDK e Agim Veliut duke implikuar rëndë procesin zgjedhor. Resurse dhe mekanizma të ndryshme shtetore po keqpërdoren nga LDK për t’i arritë qëllimet e tyre”, thuhet në njoftim.
Vetëvendosje po pretendon se veturat e MPB nën direktivat e Agim Veliut janë kthyer në shërbim të fushatës zgjedhore.
Ata gjithashtu kanë ftuar KQZ-në që të reagojë lidhur me këtë.
“Veturat e MPB nën direktivat e Agim Veliut janë kthyer në shërbim të fushatës zgjedhore.Veprimet e tilla janë rreptësisht të ndaluara. Ftojmë prokurorinë që sa më parë të merret me këtë rast dhe ndërhyrjet flagrante që po vijnë veçmas nga Ministria e drejtuar prej Veliut. Njëherit ftojmë KQZ-në që të reagoj sa më parë në mënyrë që të mos lejoj deformimin dhe abuzimet e vazhdueshme që po organizohen nën autoritetin zyrtar të shtetit nga LDK”, thuhet në njoftimin e degës së Vetëvendosjes në Podujevë./Gazeta Sinjali/