image VV: Ky vit shkollor nuk nisi mbarë për shkak të paaftësisë së Qeverisë Hoti

Politikë

VV: Ky vit shkollor nuk nisi mbarë për shkak të paaftësisë së Qeverisë Hoti

news image

Për fillimin e vitit të ri shkollor dy javë me vonesë, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si të paaftë dhe të pazotë Qeverinë Hoti. Kjo parti opozitare e ka akuzuar ekzekutivin se nuk ka bërë planifikimin e duhur për procesin mësimor dhe se ka krijuar huti te nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit. Për të gjitha këto, partia e Albin Kurtit ka thirrur në interpelancë ministrin e Arsimit, Ramë Likaj.

Deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Uka përmes një konference për medie, sot tha se fillimi i mësimit nuk është jo i zakonshëm vetëm për shkak të pandemisë, por edhe pazotësisë së Qeverisë Hoti.

Deputeti akuzoi kryeministrin Hoti edhe për përurimin e sotëm të një objekti shkollor. Sipas tij, ai i ka shkelur të gjitha rekomandimet e IKShP-së.

Më tej, Uka renditi disa prej arsyeve se pse Qeveria Hoti, sipas tij ka dështuar në fillimin e ri shkollor.

“Sinjali i parë dhe më i rëndësishëm, për të mos thënë edhe vula që kjo qeverisje nuk e ka prioritet arsimin dhe nuk është serioze në këtë drejtim ka qenë shkurtimi i buxhetit për arsim. Në kohën e pandemisë kur do të duhej të investohej edhe më shumë në fushën e arsimit dhe mundësohej një proces mësimor normal, kjo qeverisje shkurtoi për 12,5 milionë euro buxhetin e arsimit”, u shpreh ai.

Sot ka nisur faza e parë e vitit të ri shkollor, derisa faza e dytë do të nisë me 21 shtator. /Gazeta Sinjali/