Lëvizja Vetëvendosje përmes një video-mesazhi e ka kundërshtuar sërish marrëveshjen për “normalizim ekonomik” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Washington.
Nga kjo parti kanë përsëritur qëndrimet e kryetarit të saj, Albin Kurti, i cili ka thënë se nuk do t’i zbatojë zotimet e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, të nënshkruara në këtë marrëveshje, nëse LVV-ja kthehet në pushtet.
“Zotimet e njëanshme që kryeministri i paligjshëm i bëri ndaj Serbisë nuk do të merren parasysh nga qeveria e re që do të vjen shumë shpejtë pas zgjedhjeve të reja demokratike”, thuhet në postimin e kësaj partie.
Sipas LVV-së, me vizitën në Washington dhe koncesionet që bëri Hoti, ai normalizoi marrëdhëniet e Serbisë me Shtetet e Bashkuara në një nivel tjetër, i cili, sipas tyre, nuk është parë më herët.
“Serbia mori financa, autostradë, hekurudhë, port detar, hise në liqenin e Ujmanit si dhe moratorium për njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në sferën ndërkombëtare, ndërkohë nuk u përball askund me fjalën ‘Republika e Kosovës'”, përfundon postimi.
Kujtojmë që për këtë deklaratë të Kurtit në Twitter, Richard Grenell, emisari amerikan për dialogun Kosovë -Serbi, e pati cilësuar liderin e LVV-së si anti-amerikan./Gazeta Sinjali/