Asamblistët e Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë dërguar një kërkesë në Polici që të iniciohen hetimet në lidhje me një aktivitet ekonomik të zhvilluar nga kjo komunë në muajt e fundit të vitit 2021.
Sipas njoftimit të partisë bëhet fjalë për rastin “thirrje për aplikim për licencimin e operatorëve ekonomikë për organizimin e transportit taksi të udhëtarëve me vetura elektrike”.
“Sipas informacioneve të siguruara nga qasja në dokumentet zyrtare dyshohet se që nga thirrja për aplikim e shpallur me datë 2 nëntor 2021 e deri në përfundim të procesit janë bërë anashkalime, shkelje të procedurave, keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar në Komunën e Prishtinës dhe për më tepër dyshohet se janë kryer veprime inkriminuese të cilat kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës. Duke shpresuar dhe besuar në profesionalizmin dhe përkushtimin e organeve kompetente kërkojmë veprime konkrete e të menjëhershme për hetimin dhe sqarimin e të gjitha dyshimeve të ngritura”, thuhet në njoftimin e VV-së.