Lëvizja Vetëvendosje u është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës se kanë blerë vota në Prizren.
PDK-ja ka lëshuar një komunikatë para disa orëve, ku pretendonte se një aktivist i VV-së është kapur duke blerë vota në ambientet e shkollës “Abdyl Frashëri” në Prizren. PDK pretendon se votuesi ishte aktivist i VV-së dhe e kishte fotografuar votën, por ai, sipas VV-së ka qenë votues i PDK-së, shkruan Gazeta Sinjali.
Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ka deklaruar se është PDK-ja ajo që është kapur në flagrancë dhe po akuzon të tjerët.
“Në qendrën e votimit 2003a, në ambientet e SHFMU Abdyl Frashëri në Prizren, kryesuesi i vendvotimit, Ardi Pulaj i LVV e ka vënë re një qytetar duke fotografuar votën. Menjëherë e ka lajmëruar policinë, policia e ka shoqëruar qytetarin në stacion, për ta intervistuar. Vota, e cila u bë e pavlefshme, u pa nga komisionerët se ishte për PDK”, ka shkruar Manxhuka.
Ai u ka bërë thirrje votuesve që të mos i fotografojnë votat e tyre. /Gazeta Sinjali/