image VV-ja për “universitetin paralel” në Mitrovicë: Është provokim, shumë shpejt do t’i kundërpërgjigjemi

Politikë

VV-ja për “universitetin paralel” në Mitrovicë: Është provokim, shumë shpejt do t’i kundërpërgjigjemi

news image

Provokim e ka quajtur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitim Uka, nisjen e ndërtimit të objektit të përhershëm të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.

Uka, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë se së shpejti Qeveria e Kosovës do t’i kundërpërgjigjet këtij provokimi të radhës nga ana e Serbisë.

“Ky është një provokim tjetër i radhës që vjen prej Qeverisë, dhe ditëve në vijim do ta merr edhe përgjigjen prej Qeverisë së Kosovës”, ka thënë deputeti Uka në një deklarim për Gazetën “Enigma”.

Ndërkohë të premten më 20 gusht, nisi në veri të Mitrovicës, investimi në mbi 6 milionë euro, i cili po bëhet nga Qeveria e Serbisë përmes Zyrës për Kosovën, që funksionon në kuadër të saj.

Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq, gjatë një vizite në Kosovë, hodhi gurthemelin për ndërtimin e Universitetit të premten (20 gusht) në Mitrovicën Veriore.

“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti Vuçiq”, tha Petkoviq.

Ndërtesa do të ketë 10.575 metra katrorë, me kapacitet për pranimin e deri në 10.000 studentëve ndërsa në kuadër të këtij Universiteti do të funksionojnë: Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Matematikës, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti Ekonomik. /Gazeta Sinjali/