image LDK e ashpër ndaj Qeverisë Kurti për “universitetin paralel” në Mitrovicë: Po e riinstalon Serbinë në Kosovë

Politikë

LDK e ashpër ndaj Qeverisë Kurti për “universitetin paralel” në Mitrovicë: Po e riinstalon Serbinë në Kosovë

news image

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me mbi gurë-themelin e “UP me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut” dhe pasivitetin e Qeverisë Kurti, përcjellë Gazeta Sinjali.

Një nga partitë më të mëdha në vend, LDK, përmes një reagimi në faqen e saj zyrtare në “Facebook” kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për Qeverinë Kurti.

Komunikata e plotë pa ndërhyrje e LDK-së:

Reagim mbi gurë-themelin e “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut” dhe pasivitetin e Qeverisë Kurti

Me aprovimin e vizitës nga Ministria e Punëve të Jashtme, Drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën e Qeverisë së Aleksandër Vuçiqit së bashku me Ministrin e Qeverisë së Albin Kurtit, vunë në Mitrovicën e Veriut gurë-themelin e “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”. Me këtë veprim ata de-legjitimojnë dhe degradojnë shtetin e Kosovës, duke e nëpërkëmbur njëkohësisht edhe identitetin e Universitetit të Prishtinës.

Përpos këtij veprimi degradues, e që përforcon më tutje strukturat paralele në veriun e vendit, edhe më skandaloze është deklarata e zyrtarëve të Qeverisë, përkatësisht e zëvendësministrit të arsimit, Popovci, i cili mban qëndrim se “Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut” dhe se rrjedhimisht ai universitet nuk është një strukturë paralele”. Zëvendësministri duket se harron se asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogarmeve të Republikës së Serbisë. Është Qeveria Kurti ajo e cila po i ringjallë e rigjallëron strukturat paralele dhe që dalëngadalë, por me hapa të sigurt, po i rikthen proceset prapa dhe po e ri-instalon Serbinë në Kosovë.      

Është e vërtetë se Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, neni 21, parasheh që “Komuna e Mitrovicës së Veriut ka kompetencë për shkollim të lartë …”, porse neni 19.2 më tutje nënvizon se “Autoritetet qendrore në Republikën e Kosovës monitorojnë ushtrimin e kompetencave të zgjeruara në pajtim me legjislacionin qendror, që parasheh qasje të barabartë në shërbimet publike; standarde minimale sasiore dhe cilësore në ofrimin e shërbimeve publike; kualifikime minimale të personelit dhe trajnimit të tyre, parimet e përgjithshme për licencim dhe akreditim të ofrueseve të shërbimeve publike.”

Qeveria Kurti, me gjithë fuqinë ekzekutive dhe shumicën absolute parlamentare që ka, po lejon që ministrat e saj, dhe të Republikës së Kosovës pa dallim, të marrin pjesë në këto aktivitete që de-legjitimojnë shtetin tonë. Praktikantët janë strukur e janë shndërruar në spektatorë. Prandaj, ndërmarrja e hapave është e largët këtu.

Kryeministri Kurti duhet t’i zëvendësojë deklaratat boshe në Bruksel, me veprime konkrete në territorin e shtetit të tij. Ai duhet menjëherë, e pa vonesë, ta shkarkojë ministrin nga radhët e minoriteteve dhe me çdo kusht të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri.

/GazetaSinjali/