Në Parlamentin Evropian tashmë ka kaluar shkalla e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën, ku qytetarët pritet të udhëtojnë të lirë që nga 1 janari i vitit 2024.
Pas këtij lajmi, ka reaguar partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e cila këtë vendim po e sheh si rezultat të punës dhe angazhimit të Qeverisë Kurti.
Sipas VV-së, Qeveria e re ishte ajo që e zhbllokoi këtë process, siç thonë ata duke votuar ligjet për reformën në kuadër të integrimit evropian.
Postimi i plotë i VV-së:
“Kalohet shkalla e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën
Sot Parlamenti Evropian votoi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Nesër nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave dhe krejt çfarë mbetet është që vendimi të publikohet në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe të hyjë në fuqi.
Është puna dhe angazhimi i qeverisjes së re në vend që ka zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave dhe ka bindur vendet anëtare të BE-së ta caktojnë datën 1 janar 2024, si datën e fundit prej të cilës qytetarët tanë do të lëvizin pa regjimin e vizave.
Kosova në dy vitet e fundit përmes miratimit të mbi 100 ligjeve kreu reformën më të lartë ndonjëherë në kuadër të integrimit evropian.” –