image VV: Autoritetet të hetojnë shkaqet e helmimit të zyrtarëve të KQZ-së

Kosovë

Reagim/ VV: Autoritetet të hetojnë shkaqet e helmimit të zyrtarëve të KQZ-së

news image

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas rastit të helmimit të punonjësve të operacionit të votimit përmes postës duke thënë se ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik.

VV kërkon nga autoritetet shtetërore që të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë.

“Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjella kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata”, thuhet në deklaratë.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar.

/Gazeta Sinjali/