image Vuçiqi ka frikë që Kosova do ta ndjekë shembullin e Malit të Zi për Ligjin mbi liritë fetare

Rajon

Serbi/ Vuçiqi ka frikë që Kosova do ta ndjekë shembullin e Malit të Zi për Ligjin mbi liritë fetare

news image

Presidenti serb, Alleksandar Vuçiq, ka thënë se shpreson që Kosova nuk do të ndjekë shembullin e Malit të Zi në lidhje me Ligjin për lirinë fetare, kur është pyetur nëse mund të pritet skenar i njëjtë edhe në Kosovë.

“Kam dëgjuar ide të tilla, sikurse edhe ju, i përcjell ato edhe sipas detyrës zyrtare. Shoh se veçse kanë nisur të flasin për Gashët, për disa që janë të lidhur me Deçanin, dhe për të tjerë që janë të lidhur me kishat tona”, tha Vuçiqi, dhe shtoi: “Nuk mund të di, nuk dua të jem një zog ogurzi dhe shpresoj që ata të mos e ndjekin këtë shembull dhe që nuk do të përpiqen të na bindin që Deçani, Graçanica, Virgjëresha Levishka, Zoçishta apo cilado nga vendet tona të shenjta i përkasin trashëgimisë kulturore shqiptare”, raportojnë mediat në Serbi.

Vuçiqi tha më tej se ata (shqiptarët) do të tentojnë të thonë se ato i përkasin trashëgimisë kulturore shqiptare, për çka, siç tha ai, “kanë fituar edhe mbështetjen e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare”.

“Por, të gjithë këto truqe… besoj se do të kemi forcën që në mënyrë racionale e të zgjuar dhe me mjete paqësore, në rrugë diplomatike, të luftojmë e të mbrojmë shenjtoret tona”, tha Vuçiqi.

Ligji për lirinë e besimit ose të bindjeve fetare dhe statusin juridik të bashkësive fetare në Mal të Zi parashikon shtetëzimin e pronave për të cilat Kisha nuk mund të dëshmojë se i përkisnin asaj para vitit 1918.

Deri në atë datë, Mali i Zi nuk ishte i pavarur dhe bënte pjesë në mbretërinë e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve.

Miratimi i ligjit për komunitetet fetare është shoqëruar me protesta, dhunë dhe arrestime në Parlamentin e Malit të Zi.

Pas mesnatës së të enjtes seanca u ndërpre, pasi, siç raportoi Al Jazeera, u hodh një lëndë e ngjashme me gazin lotsjellës. Ligji u miratua vetëm me votat e koalicionit qeverisës, ndërsa brenda dhe jashtë parlamentit pati protesta të dhunshme.

Pas incidentit të së enjtes, 22 persona u arrestuan – 18 deputetë të partisë Fronti Demokratik dhe katër të tjerë. Kjo forcë politike e Malit të Zi paraqiti më shumë se 100 ndryshime në projektligj, por ato u kundërshtuan nga koalicioni qeverisës.

Qindra përkrahës të opozitës pro-serbe dolën në rrugët e Podgoricës për të protestuar kundër projektligjit.

Policia vendosi barriera metalike përgjatë rrugëve për të parandaluar protestuesit, përfshirë disa priftërinj, të cilët ishin përpara parlamentit, ku ligjvënësit po debatonin për projektligjin.

Kisha Ortodokse Serbe pretendon se ligji do t’i heqë pronën, duke përfshirë dhjetëra manastire mesjetare dhe kisha.

Dje, siç raportoi portali i televizionit publik malazeze, Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, nënshkroi Ligjin në fjalë.