Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq është zotuar se do të “luftojë” për Kosovën.
Vuçiq ka theksuar se fuqitë e mëdha nuk mund të ndryshojnë pozicionin e tyre për Pavarësinë e Kosovës, si dhe për qëndrimin e tyre se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, transmeton Gazeta Sinjali.
“Për ne, nuk ka zgjidhje të lumtur për Kosovën. Nuk është detyrë e presidentit të Serbisë të mashtrojë njerëzit. Do të ketë përpjekje për të zgjidhur gjërat gjatë vitit të ardhshëm, por nuk dihet nëse do të zgjidhen”, ka deklaruar Vuçiq.
Ndryshe, Vuçiq tha se pret nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak që ta vizitojë Beogradin dhe Prishtinën, menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi, që do të mbahen më 21 qershor.
“Unë pres që Lajçak të vijë në Beograd menjëherë pas zgjedhjeve. Nuk ka zgjidhje të lumtur për ne, çfarëdo qoftë ajo, ne nuk mund të jemi të kënaqur veçanërisht. Nuk mund t’i gënjej njerëzit. Puna e presidentit ose dikujt që merret me politikë nuk është t’i mashtrojë njerëzit”, u shpreh Vuçiq.
Presidenti i Serbisë ka shtuar se pret edhe bisedime me Richard Grenell, të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne do të përpiqemi ta bëjmë (rezultatin e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë) zgjidhje më pak të pafavorshme, por ta bëjmë atë të favorshëm është jorealiste,” tha Vuçiq.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Kosova vendosi taksën 100 për qind.
Në prill të këtij viti, Kosova e pati zëvendësuar taksën me masën e reciprocitetit. Por, Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti e hoqi reciprocitetin dhe tha se tani pret nga Serbia që të heqë pengesat e tjera, në mënyrë që palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve. /Gazeta Sinjali/.