image Vuçiq tregon në detaje se çfarë diskutoi me Hotin dhe çfarë kërkoi kryeministri i Kosovës

Politikë

Vuçiq tregon në detaje se çfarë diskutoi me Hotin dhe çfarë kërkoi kryeministri i Kosovës

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq ka treguar hapur detaje nga takimi që e pati dje me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin.

Vuçiq ka thënë se të pagjeturit ishin tema kryesore e këtij takimi. Sipas tij, janë 1,643 ose 1,644 persona të zhdukur në Kosovë, varësisht nga shënimet e mbajtura nga të dy palët, nga të cilat, siç thotë ai, 570 janë serbë e jo-shqiptarë dhe pjesa tjetër shqiptarë.

Ai tha se ka shprehur gatishmërinë për t’i gjetur vendet ku mund të jenë varrosur të zhdukurit shqiptarë dhe t’i përgjigjen çdo kërkese të shqiptarëve për këtë çështje, me kusht që e njëjta të lejohet edhe nga shqiptarët për ta, transmeton Gazeta Sinjali.

“Ne thamë që Serbia nuk do ta mbrojë kurrë askënd, se duam që të jetë e rëndësishme të gjejmë vendet ku janë varrosur ata njerëz për shkak të familjeve të tyre dhe atyre që humbën të dashurit e tyre. Ne thamë se jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo kërkese të qhqiptarëve, që ne jemi të gatshëm të punojmë me ta me praninë e BE-së për të treguar nëse ka diçka në atë vend apo jo, por ne kërkuam të njëjtën të drejtë edhe për ne”, tha Vuçiq.

“Serbia është e gatshme të përmbushë çdo kërkesë nga pala shqiptare dhe ne jemi të gatshëm të hetojmë nëse ka ndonjë gjë në vendet për të cilat ata mendojnë se janë vende të varreve masive, por ne po kërkojmë të njëjtën gjë për ne” shtoi ai.

Vuçiq tregoi se Hoti ka kërkuar që të hapen të gjitha arkivat ushtarake dhe policore. Sipas tij, Hoti reagonte fuqishëm kur ai përmendte serbët e vrarë.

“Shqiptarët kërkuan që të hapen të gjitha arkivat ushtarake dhe policore. Ne kemi thënë që nuk ka probleme me çështjen e personave të zhdukur dhe personave të zhvendosur brenda vendit, por Serbia kërkoi që të hapen arkivat e ashtuquajtura të UÇK-së, në mënyrë që të shohim se ku janë serbët dhe të tjerët jo-shqiptarë që u vranë. Sapo e përmendëm atë, pala shqiptare protestoi fuqishëm”, tha ai.

Vuçiq tha se me Hotin kanë rënë dakord për dy parime: që ne të punonim me Kryqin e Kuq dhe të pranonin rregullat e Kosovës, dhe që Serbia të garantonte hapur dhe të shprehte vullnetin politik për t’i gjetur personat e zhdukur, transmeton Gazeta Sinjali.

Ai tha se gjithashtu u diskutuan çështje mbi ekonominë, por që u kërkua të flitej edhe për dëmshpërblime të luftës.

“Një nga çështjet ishin dëmshpërblimet e luftës. Unë refuzova, thashë që nuk kishte asnjë kuptim të flisnim për të”, tha Vuçiq.

Ai tha se propozoi një marrëveshje tregtare e cila, siç tha, “nuk do të na demantojë dhe me të cilën ne nuk do të tregojmë se ne e njohim Kosovën si shtet”.

“Ne kemi diçka për t’i ofruar Prishtinës, shpresoj se ata gjithashtu kanë diçka për të na ofruar. Unë besoj se mund të jetë një punë e mirë në krijimin e një klime politike të pakrahasueshme më të mirë për bashkëpunimin tonë politik në të ardhmen dhe gjithçka tjetër”, tha ai.

Mes tjerash, Vuçiq tha se diskutuan edhe për shpejtimin e punimeve në autostradën Prishtinë-Nish me një pjesëmarrje më të madhe evropiane. /Gazeta Sinjali