Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur në lidhje me takimet që ka pasur me emisarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, duke thënë se nuk ka bisedime të lehta për Kosovën me ata të cilët e njohin si shtet.
Mirëpo, sipas Vuçiqit nga këto takime nuk është se ka pasur ndonjë befasi.
“Më kanë thënë gjithçka që e kanë deklaruar edhe publikisht. Për ne s’është e lehtë asnjë bisedë për Kosovën me ata që e njohin pavarësinë e saj dhe e vënë në pah këtë”, ka thënë ai për “Tanjug”.
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguar i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar në Serbi kanë zhvilluar takime edhe me opozitën. /GazetaSinjali/