Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas takimit të ekipit operativ për vaksinimin dhe kreut shtetëror tha se vaksinimi masiv fillon sot në Serbi dhe se është e rëndësishme për qytetarët të kuptojnë se Serbia po ndryshon të ardhmen edhe në aspektin ekonomik, shkruan Anadolu Agency, transmeton Gazeta Sinjali.
I pyetur pse Serbia dhuroi tetë mijë vaksina Pfizer kundër koronavirusit për Maqedoninë e Veriut, Vuçiq shtroi pyetjen se çfarë vlen vaksina për Serbinë, nëse fqinjët janë në telashe dhe se duhet ndihmuar fqinjët kur janë në vështirësi.
“Mendoj se kjo tregon përgjegjësinë tonë dhe se nuk jetojmë në një ‘botë të izoluar’”, tha ai.
Ai gjithashtu tha se nuk e ka asnjë problem për të ndihmuar Shqipërinë dhe se Beogradi zyrtar është i gatshëm të japë vaksina edhe për shqiptarët e Kosovës, duke shtuar se nuk do të mund të refuzonte nëse Bosnje e Hercegovina kërkonte ndihmë, gjegjësisht “entiteti Republika Sërpska i BeH-së”.
Vuçiq tha se vlerësimet për ritmin e vaksinimit në Serbi janë të ndryshme, por se gjithçka që është më shumë se 10.000 njerëz të vaksinuar çdo ditë është e jashtëzakonshme.
Ai shtoi se për të filluar me vaksinimin masiv u duhej të prisnin sasi më të mëdha të vaksinave, pasi kjo mund të bëhej vetëm kur kishte gjysmë milioni doza vaksinash.
Vuçiq theksoi se Serbia ka tre vaksina, Pfizer, Sputnik V dhe Sinofarm, duke shtuar se negociohet me Poloninë dhe “AstraZenek” që Serbia të marrë 800.000 doza të kësaj vaksine përmes Polonisë.
Ai gjithashtu tha se po negociohet me kompaninë “Johnson&Johnson” dhe “Moderna”, vaksina e së cilës mund të jetë në dispozicion për qytetarët e Serbisë në vjeshtë.
Vuçiq tha se edhe ai do të vaksinohet ditët e ardhshme, kur t’i aprovojnë mjekët, ndërsa kryeministrja atje, Ana Brnabiç tha se 351.000 njerëz kanë aplikuar për vaksinim deri më tani.