image Vuçiq: Serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi

Politikë

Vuçiq: Serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi

news image

Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, ka deklaruar se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”.

Vuçiq ka thënë se Serbia nuk ka pranuar të bëjë diçka të tillë.

Ai tha se sot për herë të parë nuk ka pasur “aktivitete të dakorduara dhe të koordinuara” me serbët e Kosovës dhe se është befasuar nga “propozimet radikale” të tyre.

“I kam lutur që të kenë durim dhe të numërojmë deri në dhjetë”, theksoi Vuçiq.

Serbët e Kosovës, siç tha Vuçiq, kanë kërkuar që menjëherë të largohen nga të gjitha institucionet dhe që 435 policë t’i lënë armët dhe të braktisin policinë.

Vuçiq theksoi se “njerëzit nga jugu” u pajtuan me këtë “për herë të parë”, të udhëhequr nga Dallibor Jevtiq.

Unë i pyeta, e bëjmë sot, por çfarë një ditë pas? Ne do të marrim barrën financiare, por të nesërmen kam frikë se mund të hyjmë në rrethin vicioz të konflikteve të luftës”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se u ka kërkuar përfaqësuesve serbë të Kosovës që bisedimet të vazhdojnë më 8-9 prill.

Vuçiq gjithashtu theksoi që për serbët e Kosovës do të përgatiten vendvotime në komunat në Serbinë qendrore.

Vuçiq i bëri këto komente pas takimit më 22 mars me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Takimi pasoi njoftimin e BE-së se autoritetet në Kosovë e kanë refuzuar kërkesën e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë të 3 prillit.

Vuçiq sot është takuar edhe me ambasadorët e vendeve të Quint-it në Beograd.

Sot, po ashtu, është mbajtur edhe një seancë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ministrat e Mbrojtjes dhe të Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq dhe Aleksandar Vulin, ish-kryeparlamentari Ivica Daçiq, si dhe zyrtarë të tjerë dhe përfaqësues të strukturave të sigurisë.

Temat e takimeve nuk janë bërë të ditura zyrtarisht.

Në takim edhe Radoiçiq

Fotot nga takimi i ka postuar Vuçiq në Instagram, me një përshkrim se ka diskutuar për “ngjarjet aktuale” me përfaqësuesit politikë serbë.

Në takim kanë marrë pjesë drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Bratislav Gashiq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, si dhe përfaqësues të Listës Serbe, parti politike e serbëve nga Kosova e mbështetur nga Partia Progresive Serbe e Vuçiqit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë takimit me serbët e Kosovës më 22 mars.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë takimit me serbët e Kosovës më 22 mars.

Në takim po ashtu ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të akuzave për përfshirje në rrjetin ndërkombëtar të krimit të organizuar.

Për Radoiçiqin në Kosovë është lëshuar fletarrest për shkak të akuzave për frikësim të dëshmitarëve në rastin e korrupsionit në qendrën e skijimit “Brezovica”.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, më 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

Qeveria e Kosovës për momentin nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se propozimi i vendeve të Quint-it, për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, është refuzuar.

Detajet e propozimit, po ashtu, ende janë bërë të ditura .

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën pas takimin me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.

/GazetaSinjali/