Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u shpreh se temë kryesore gjatë takimit të sotëm me presidentin francez Emanuel Macron, ka qenë Kosova, shkruan Gazeta Sinjali.
Vuçiq pas takimit tha se është biseduar për dialogun me Kosovës dhe përmbushjen e marrëveshjes së Uashingtonit.
“Ne kryesisht biseduam për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, është një çështje e vështirë dhe nevralgjike për të gjithë Evropën, jo vetëm për Serbinë. Unë tregova se cili është pozicioni i Serbisë. Besoj se do të kemi mbështetje serioze franceze në rrugën evropiane. Franca do të mbështesë Serbinë dhe në rrugën evropiane, unë gjithashtu besoj në gjetjen e zgjidhjeve inovative të kompromisit për çështjen e Kosovës”, tha ai për mediat serbe.
Po ashtu ai deklaroi se është e nevojshme që pala tjetër, në këtë rast Kosova, të kuptojë se “dialogu nuk është ‘bunar(pus)’ dëshirash”.
Ai deklaroi se Serbia tani do të presë për të parë nëse Prishtina do të respektojë pjesën e saj të marrëveshjes së Uashingtonit dhe nëse do të lejojë ndërtimin e hekurudhës nga Prishtina deri në Merdar.
Siç deklaroi ai, Prishtina dëshiron një hekurudhë përmes Mitrovicës me Kralevën dhe Rashkën në mënyrë që të marrë hekurudhat serbe në veri të Kosovës.
“Ne kërkuam rrugën dhe hekurudhën Prishtinë-Merdar, por ata nuk janë të interesuar, sepse nuk ka asnjë hekurudhë serbe që ata mund të marrin. Një çështje tjetër është Liqeni i Ujmanit, përveç notit në Ujman dhe një furnizimi të vogël të Zubin Potokut, nuk kemi asgjë tjetër”, tha ai./Gazeta Sinjali/