image Vuçiq: Nuk duam konflikt të ngrirë me shqiptarët, nuk do të ketë Serbi të Madhe

Politikë

Vuçiq: Nuk duam konflikt të ngrirë me shqiptarët, nuk do të ketë Serbi të Madhe

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ai gjithmonë angazhohet për zgjidhjen e problemit dhe jo për ruajtjen e një konflikti të ngrirë me shqiptarët.

Në një intervistë për televizionin boshnjak “Face TV”, Vuçiq, kur është pyetur se çfarë duhet të fitojë Serbia, tha se “Serbia duhet të marrë një zgjidhje të drejtë për shumë çështje dhe asgjë më shumë se kaq”.

Ai potencoi se nuk mund të bëhet paqja në Ballkanin Perëndimor duke poshtëruar një komb.

Më tej, ai tha se është i kujdesshëm kur flet për çështje rajonale dhe potencon se interesi absolut i Serbisë është paqja dhe stabiliteti.

Vuçiq thotë se e do Republikën Srpska dhe se e respekton Bosnjën dhe Hercegovinë dhe për këtë arsye, ai shtron pyetjen: “Pse doni të paraqisni armik atje ku nuk ka?”.

Kur bëhet fjalë për zhvillimet aktuale lidhur me rivendosjen e kufijve në Ballkan sipas dokumentit “non-paper”, që pretendohet se rrodhi nga kryeministri slloven, në konstatimin se Milorad Dodik dhe Aleksandar Vulin e thonë atë që mendon Presidenti Vuçiq, presidenti serb tha se “Milorad Dodik është një njeri shumë inteligjent dhe ai është gjithçka përveç dikujt që dëgjon ose zbaton atë që them unë”.

“Ata [Republika Srpska] kanë politikën e tyre, unë e respektoj atë dhe ne nuk duhet të mendojmë njësoj për të gjitha çështjet, por unë nuk do të them asgjë kundër tij. Unë nuk jam memec, askush nuk ka pse të flas në emrin tim. Unë gjithmonë ua them në fytyrë atë që unë mendoj. Atë që e mendoj e them dhe atë që e them edhe e bëj. Sa i përket Aleksandar Vulinit – ai është shoku im i vjetër, por ai shumë gjëra i sheh ndryshe nga unë. Unë nuk e shoh veten si president i të gjithë serbëve, por si president i qytetarëve të Republikës së Serbisë”, tha Vuçiq për televizionin boshnjak.

Presidenti i Serbisë deklaron se nuk ka parë “non- paper”, dokumentin që pretendohet se kryeministri slloven, Janez Jansha, ia ka dorëzuar presidentit të Këshillit Evropian, sipas të cilit parashihej ndryshimi i kufijve në Ballkan, por thotë se ka parë atë që është publikuar në media. Sidoqoftë, ai thotë, se nuk i ka konvenuar ajo që ka parë.

“Jo vetëm që nuk kam marrë pjesë në hartimin e atij dokumenti, por as nuk e kam parë. Unë pashë spekulime në media. Unë pashë se kishte gjithçka lidhur me Kosovën… Ju thoni se Serbia do ta njohë Kosovën e pavarur, se do të heq dorë nga Presheva dhe Bujanoci në mënyrë që të merr Republikën Srpska – asgjë nga ato nuk është realiste dhe nuk do të ndodhin”, thotë ai dhe thekson se Serbia respekton integritetin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ai shprehet se ka shumë hipokrizi rreth asaj historie.

“Kur i pyesin politikanët në Bosnjë për Kosovën, Kosova është e pavarur për ta, si për Komshiqin ashtu edhe për Izetbegoviqin. Kërkoj falje, por kush jeni ju që të rrënoni integritetin e Serbisë, të copëtoni Serbinë…?”, tha Vuçiq.

I pyetur nëse është logjike që nëse politikanët nga Bosnja mund të ndajnë Serbinë, a do të thotë kjo se Serbia mund të ndajë Bosnjën dhe Hercegovinën, Vuçiqi tha se Serbia nuk ka nevojë për territor.

Ai tha se assesi nuk po krijohet Serbia e Madhe.

“Për mua Serbia është e madhe kur është e suksesshme, e përparuar dhe e fuqishme ekonomikisht”, ka thënë presidenti serb./Gazeta Sinjali/