Deputetët e Kuvendit të Serbisë nesër në seancë të posaçme të Kuvendit do ta shqyrtojnë Raportin për procesin e negociatave me Kosovën nga 15 qershori 2021 deri më 1 shtator 2022.
Raportin do ta prezantojë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili do t’i informojë deputetët dhe qytetarët e tij për gjendjen aktuale dhe sfidat përpara, raportojnë mediat serbe.
Kryetari i Komisionit Parlamentar serb për Kosovën, Milovan Drecun, tha sot se pret një diskutim gjithëpërfshirës nga seanca e posaçme, dhe theksoi se të gjithë deputetët janë të interesuar, të shqetësuar dhe të përkushtuar për të gjetur zgjidhje për këtë sfidë më të vështirë.
“Pres një seancë konstruktive, me më pak polemika. Shpresoj që të gjithë ta kuptojnë peshën e çështjes dhe rëndësinë e momentit. Duket se po vjen koha kur më në fund do të duhet ta zgjidhim çështjen”, tha Drecun.
Ai shprehu shpresën se deputetët do të jenë mbi të gjitha llojet e debateve të zakonshme, sepse po diskutojnë për temën më të rëndësishme që do të ndryshojë të ardhmen.