Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u është përgjigjur kërcënimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për një luftë të re nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare mes dy shteteve, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Hotit, Kosova dhe Serbia janë në negociata për paqe dhe se dialogu mund të përmbyllet vetëm duke e pranuar realitetin.
“Ne po negociojmë një marrëveshje paqeje në mes të dy vendeve që nënkupton pranim i standardeve ndërkombëtare, pranim i aktgjykimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, marrje përsipër e përgjegjësisë për viktimat e shkaktuara, për të pagjeturit…pra përmbyllje e një kapitulli të rëndësishëm i cili mund të përmbyllet vetëm duke e njohur dhe pranuar realitetin”, tha Hoti në televizionin Klan në Maqedoni.
Vija kufitare në me të dy vendeve nuk është në tavolinë?
“Asnjëherë. S’ka qenë asnjëherë, gjatë kësaj qeverie jo se jo. Ajo temë nuk diskutohet. Tani ajo që po diskutohet është marrëveshja përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke ku pikë e parë do të jetë njohja reciproke”, tha Hoti.
Vuçiq javë më parë tha se nuk dëshiron konflikt të ngrirë me Kosovën, ndërsa për ta ilustruar pasojat që mund të kishte, sipas tij, ai përmendi luftën e zhvilluar në Nagorno Karabak ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke thënë se si “nga një konflikt i ngrirë prej 30 vjetësh mund të shpërthejë lufta”./Gazeta Sinjali/