Presidenti serb, Alksandar Vuçiq i ka dhënë mbështetje të parezervë ish-komandantit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Nenad Gjuriq i cili u shkarkua pasi që refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe.
Gjuriq ka zbuluar sot se e ka pranuar një mesazh mbështetës nga Vuçiq, raporton Kurir.
“Dua ta falënderoj secilin që më mbështet mua, familjen, kolegët e miqtë, shtetin tim Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq. Kjo më jep forcë që ta duroj të gjithën”, ka thënë ai para mediave.
Sipas medias serbe Kurir, mësohet se Vuçiq e ka thirrur sot Gjuriqin për ta inkurajuar dhe për ta mbështetur, duke i dhënë mesazhin që Serbia është me të.
“Çdo qytetar i ndershëm serb është krenar me ty sot dhe shteti serb do të jetë me ty. Të jesh i sigurt që nuk je vetëm”, raportohet t’i ketë thënë Vuçiq, Gjuriqit.
Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, i suspenduar për mos zbatim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, Nenad Gjuriq, kishte një histori të gjatë të suspendimeve nga Policia e Kosovës.
Ai ishte suspenduar edhe më parë për mos zbatimit të urdhrave dhe lidhjeve të tij me krimin e organizuar në veri të Kosovës, përfshirë edhe me personat të sanksionuar nga SHBA, si Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq. Gjuriq njihej edhe për afërsinë me partinë politike serbe pro-ruse DSS.
Komandanti i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës Veriore Nenad Gjuriq, i njohur me pseudonimin “Gjuro”, ka qenë pjesë e MUP-it serb në Zveçan, ku ka vepruar si operativ i kësaj strukture ilegale.
I njëjti ka qenë i dëbuar nga Akademia Policore e Serbisë për shkak se ka dështuar në testin psikik për disa herë me radhë.
Në fillim të vitit 1999, ai ka qenë i angazhuar si pjesë rezervë e SUP-it të atëhershëm serb në Mitrovicë dhe ka figuruar në listat e pagave deri në vitin 2001.
Gjatë vitit 2000 Gjuriq iu ka bashkuar grupit ekstremist “Rojat e Urës”. Pas emërimit të tij si Komandant i Stacionit të Policisë së Kosovës në Zveçan, ai ishte përfshirë në veprime kriminale duke pranuar ryshfet nga kontrabandistët e naftës. I njëjti kishte qenë i përfshirë edhe në përcjellën e cisternave të Zvonko Veselinoviq, i sanksionuar nga SHBA për shkak të aktiviteteve kriminale.
Nuk është hera e parë që Gjuriq është shkarkuar nga pozitat udhëheqëse në Policinë e Kosovës, pasi që i njëjti, edhe më parë ishte shkarkuar nga pozita e komandantit për shkak të refuzimit të urdhrave nga vijat komanduese në Policinë e Kosovës. Pas suspendimit, këtij i është dhënë vendimi për fillimin e punës në MUP-in serb në Zveçan.
Pas këtij shkarkimi, Gjuriq ka përfituar një banesë nga komuna ilegale e Mitrovicës së Veriut. Gjatë kësaj kohe ai ishte anëtarë aktiv i Partisë së Re Demokratike të Serbisë (DSS) të Vojisllav Koshtunica, kryetar i së cilës për Mitrovicën Veriore ishte Marko Jakshiq, i njohur për lidhjet dhe qëndrimet e tij pro-ruse.
Pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë për integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës, Nenad Gjuriq ishte emëruar Komandant i Stacionit Policor të Zveçanit, ndërsa përsëri ishte suspenduar në vitin 2013 për mosveprim në urdhrin për largimin e Aleksandër Vulinit nga veriu i Kosovës, kur ky i fundit po qëndronte pa leje të organeve kompetente të Republikës së Kosovës.