image Vuçiq: Do të shitja mjegull po të thosha se SHBA heq dorë nga Kosova e pavarur

Rajon

Rajon/ Vuçiq: Do të shitja mjegull po të thosha se SHBA heq dorë nga Kosova e pavarur

news image

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka marrë sinjale të qarta në takime me zyrtarët e lartë të shtetit amerikan sa i përket Kosovës.

Ai ka thënë se SHBA kërkon njohje reciproke të Beogradit dhe Prishtinës, teksa ka përmendur se serbët dikur shijonin mitet serbe karshi Kosovës, duke ‘vendosur nën tepih’ kërkesat e fuqive perëndimore.

Vuçiq gjatë takimeve me sekretarin e Shtetit amerikan Mike Pompeo dhe zyrtarë të tjerë në Nju Jork kishte kërkuar nga administrata amerikane të ushtrojë ndikim më të fortë te shqiptarët e Kosovës për të hequr taksat e vendosura në nëntorin e vitit të kaluar.

“Nuk ka dyshim se ne kemi mbështetjen amerikane, pasi ata mendojnë se është e rëndësishme të vazhdojë dialogu Beograd-Prishtinë, në mënyrë që të ruajmë paqen, të shohim të ardhmen dhe të përmirësojmë ekonominë tonë me çdo kusht”, tha Vuçiq dje.

Por, gjatë një interviste sot për televizionin shtetëror serb RTS, i njohur për mbështetje të politikave nacionaliste serbe karshi Kosovës, presidenti Vuçiq megjithatë e pranoi faktin se SHBA nuk heq dorë nga Kosova e pavarur.

“Nëse e ndryshojmë qëndrimin e Amerikës ndaj Serbisë edhe për një hap, ne kemi bërë një mrekulli të vogël. Nuk dua të shes mjegull dhe them se Amerika do të heqë dorë nga pavarësia e Kosovës, pasi nuk do të isha serioz dhe as nuk do të bëj premtime të rreme për qytetarët,” porositi Vuçiq.

I pyetur se si duhet të kuptohet qëndrimi i Departamentit të Shtetit që inkurajon rrugën evropiane të Serbisë, por gjithashtu se është e nevojshme të rifillohet dialogu me Kosovën, gjë që çon në njohje të ndërsjellë, Vuçiq tha se “ky nuk është një qëndrim krejt i ri amerikan”.

“Ata e njohën pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Amerika është një fuqi e madhe që nuk do ta ndryshojë atë vendim. Një nga gjërat e mira është që ata mbështesin rrugën tonë evropiane, gjëja tjetër e mirë është që ata mos të hyjnë në atë se si duhet të duket një marrëveshje, por është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje midis serbëve dhe shqiptarëve “, tha Vuçiq.

Sipas Vuçiqit, ‘një gjë e keqe’, dhe e ndryshme nga periudha e mëparshme, por jo edhe plotësisht e re, është se SHBA kërkon njohje reciproke të Beogradit dhe Prishtinës.

“Në fakt,  ky nuk është një lajm i madh, ne e prisnim diku, por dikur nën tepih  vendosnim kërkesat e fuqive perëndimore dhe përpiqeshim të shijonim mitet tona. Veshët e serbëve shpesh janë shumë të butë për të dëgjuar ato që mendojnë për Serbinë dhe marrëdhëniet me Prishtinën. Unë thashë cilat ishin pikëpamjet tona. Thashë që mundësia që shqiptarët të marrin gjithçka dhe serbët asgjë, t’i pranojmë ata – gjëra të tilla nuk vijnë në diskutim, mbase as me ndonjë udhëheqje tjetër”, tha ai.