Artan Ismalaja, 51-vjeçar, dyshohet se vrau me thikë gruan e tij Klarita Ismalaja, 45-vjeçe.
Krimi i rëndë ndodhi paraditen e sotme në Bubq të Fushë-Krujës brenda një automjeti tip “Ford”, ku 51-vjeçari dyshohet se e ka goditur disa herë me thikë bashkëshorten.
Në kushtet e rëndesës psikologjike pas aktit të kryer, 51-vjeçari tentoi vetëvrasjen me thikë. Ai është nisur urgjent drejt Spitalit të Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton Panorama, përcjell Gazeta Sinjali.
Çifti ishin prindër të dy djemve, më i madhi 22 vjeç dhe i vogli 16 vjeç. Artan Ismalaja është me profesion kameraman dhe ka një biznes pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në kryeqytet.
Dëshmia e rojës
Roja nuk e dinte se 51-vjeçari Artan Ismalaja kishte qëlluar për vdekje me thikë bashkëshorten e tij. “U afrova për t’i larguar” mësohet të jetë shprehur ai, raporton News24.
“Fillimisht mendova se ishin në momente intime dhe u afrova për t’i larguar, por më pas pash viktimën të mbuluar me gjak, atëherë njoftova policinë”, është shprehur punonjësi i sigurisë në dëshminë e tij për policinë.
Ndërkohë që policia ka nisur hetimet për ngjarjen, janë të paqarta motivet që e shtynë burrin të vrasë gruan. Çifti mësohet se ishin prindër të dy fëmijëve dhe jetonin në Tiranë prej vitesh, ku kishin edhe një biznes.
Njoftimi i Policisë
“Më datë 05.07.2021, në orën 10:45, në Bubq, Krujë, në afërsi të një magazine, brenda mjetit tip ‘Ford’ në pronësi të tij, dyshohet se shtetasi A. I., 51 vjeç, banues në Krujë, ka goditur me mjet prerës (thikë), bashkëshorten e tij, shtetasen K. I., 45 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë.”
“Më pas shtetasi A. I. ka tentuar të dëmtojë edhe veten me mjet prerës (thikë) dhe është transportuar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë./Gazeta Sinjali/