Kanë marrë një kthesë të fortë hetimet për vrasjet seriale në Durrës, që sipas hetuesve kanë si shkak 5 milionë eurot e grabitura në Rinas nga barku i avionit Tiranë-Vjenë, 9 Prillin e 2019. Nga hetimet e zhvilluara deri tani, dhe informacioni i siguruar nga një prej bashkëpunëtorëve të policisë i arrestuar, katër vrasjet në Durrës janë porositur nga i njëjti grup kriminal, i cili është duke kërkuar “pjesën” nga paratë e zhdukura të grabitjes në Rinas ku mbeti i vrarë Admir Murataj.
I penduari i policisë ka hedhur dritë mbi vrasjet e ndodhura fillimisht të 2 Marsit dhe të 27 Prillit 2020, dy vëllezërve Haxhia nga Puka banorë në Durrës. Sipas burimeve nga grupi hetimor, vëllezërit Haxhia kanë strehuar dhe ndihmuar një prej personave pjesëmarrës në grabitjen e 20 thaseve me para në Rinas.
Grupi kriminal fillimisht ka porositur vrasjen e Dorian Shkozës, në 2 Mars pasi edhe ai ka patur dijeni. Edhe vëllezërit Haxhia ishin në dijeni për paratë sipas grupit hetimor.
“Paratë e Rinasit diku janë investuar dhe po kërkohen”. Këto ka thenë midis të tjerave për grupin hetimor i penduari i policisë.
Ai ka treguar se grupi kriminal ka qënë pjesëmarrës edhe në katër ngjarje të tjera kriminale brenda vendit, jo vetëm në qytetin e Durrësit. Anxhelo Avdia 28 vjecari që u vra me Dorian Shkozën në Nishtulla në 2 Mars nuk ishte shënjestër. Ai u ndodh rastësisht në vendin e ngjarjes. Porosia ka qënë për pronarin e Servisit të makinave Dorian Shkoza.
Klevis Alla 22 vjec dhe Altin Ndoci 35 vjec janë arrestuar si autorë të dyshuar të vrasjes së vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia në 27 Prill. Altin Ndoci ka qënë në varrim të dy vëllezërve si i njohur e mik i tyre. Për të treta ka qënë sërish dhe ka ngushëlluar prindërit duke hedhur 50 mijë lekë në kafe. Prindërit e kanë pyetur për emrin me qëllim që të dinin kush i ngushëlloi por Altin Ndoci ka dhënë një emër tjetër, pohuan burimet nga grupi hetimor.
Ndërkohë që hetimet vijojnë edhe për disa persona të tjerë që kanë marrë pjesë në ekzekutime por kanë dijeni edhe për porositësit që për hetuesit janë një grup i fuqishëm kriminal. Për hetuesit e Durrësit shkak i ekzekutimeve janë paratë e grabitura në Rinas që kanë sjellë disa ngjarje kriminale, por nuk përjashtohen as konflitet për pazaret e prishura të drogës në Shqipëri dhe jashtë vendit.