Në Gjykatën e Prishtinës dje është mbajtur seanca e gjykimit të babë e bir, Baki Shkodriqi e Besnik Shkodra, të akuzuar për vrasje të rëndë, që ka ndodhur në shkurt të vitit 2019 në kryeqytet.
Prokuroria e Prishtinës në muajin shtator të vitit 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj Besnik Shkodrës dhe Baki Shkodriqit për vrasjen e rëndë të A.J.
Sipas aktakuzës, Besnik Shkodra kishte pasur mosmarrëveshje të mëhershme me tani të ndjerin, raporton Betimi për Drejtësi
Dosja e Prokurorisë thotë se Besnik Shkodra, në ditën kritike, për një kohë të shkurtë, e kishte vëzhguar nga makina e tij të ndjerin A.J., i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte i akuzuari.
Tutje, sipas Prokurorisë, i akuzuari me të afruar kishte shtënë me armë drejt viktimës, i cili gjendej në veturë ashtu që pas të shtënave viktima del nga vetura dhe i akuzuari vazhdon me të shtëna drejt tij.
Në këtë mënyrë A.J. është rrëzuar në tokë dhe nga plagët e marra kishte vdekur në vend të ngjarjes.
Si shtytës të kësaj vrasjeje Prokuroria e akuzon babanë e Besnikut, Baki Shkodriqin.
Në aktakuzë thuhet se Baki Shkodriqi para vrasjes i kishte dërguar SMS të birit duke i thënë “a e mbushe?” ndërsa pak minuta pas vrasjes Besnik Shkodra i kishte dërguar SMS babait të tij “e kryet”.
Besnik Shkodra në këtë rast po ashtu akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Si ndodhi vrasja?
Sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohet se më 27 shkurt 2019, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit Abit Jashari, në ditën kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, aty për pak kohë e ka vëzhguar tani të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte ai dhe me t’u afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i akuzuari me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit Abit Jashari, i cili gjendej në veturë.
Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri del nga vetura, ku i pandehuri ka shtënë me armë prapë në drejtim të tij, me ç’rast tani i ndjeri vazhdon të ecë 2-3 metra dhe rrëzohet në tokë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se pas plagëve të marra në shpinë të dorës dhe në regjionin e pasmë të majtë të shpinës, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.
Për këtë, Besnik Shkodra akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Kurse, në dispozitivin e dytë të akuzës, ai akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 27 shkurt 2019, i njëjti pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e lartcekur, duke shkelur ligjin e zbatueshëm lidhur me armën.
Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohet se me dashje e ka shtyrë të pandehurit Besnik Shkodra, djalin e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes së përshkruar në dispozitivin e parë të aktakuzës, raporton Betimi për Drejtësi.
Aktakuza thotë se gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Baki, në mëngjesin e po asaj dite, i ka dërguar një sms Besnikut me fjalët “a e mbushe”, ndërsa i pandehuri pasi e ka përfunduar vrasjen e ka informuar të pandehurin me sms se “e kreu”, e kjo ka ndodhur pak minuta pasi është kryer vrasja.