Mbrëmë Lirim Haxholli humbi jetën pasi dyshohet se u qëllua aksidentalisht nga kolegu i tij gjatë një ndeje.
Në lidhje me këtë, Policia e Kosovës ka dalë me raport, ku thuhet se i dyshuari është arrestuar dhe me rastin po merret Inspektorati Policor i Kosovës.
“Fsh. Zllatar, Prishtinë, 18.02.2022-23:50. Një zyrtar policor, mashkull kosovar, ka vdekur pasi që është qëlluar me armë zjarri aksidentalisht nga i dyshuari mashkull kosovar gjatë një ndeje. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore. Prokurori i shtetit ka autorizuar IPK-në që të merren të gjitha veprimet lidhur me rastin. I dyshuari është arrestuar“, thuhet në njoftim.
Por si ndodhi ngjarja?
Sinjali mëson se gjithçka ndodhi në një villë të Zllatarit, ku rreth 15 policë u mbledhën për të festuar për qejf.
Festa u kthye në tragjedi, ku pas përfundimit të ndejës njëri nga zyrtarët policorë dyshohet se aksidentalisht e shkrepi armën e zjarrit dhe plagosi policin Haxholli.
Lirimi u dërgua në Emergjencën e QKUK-së, por nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve dhe vdiq.
Sinjali po ashtu mëson se viktima dhe i dyshuari, ishin të gjeneratës së njëjtë.
Ndërsa në oborrin e QKUK-së mbrëmë ka pasur forca të shtuara të Policisë, mirëpo këta të fundit ende nuk janë deklaruar për media.