image ​Vrasja e mësimdhënëses, LDK kërkon të reagojë shteti

Sociale

​Vrasja e mësimdhënëses, LDK kërkon të reagojë shteti

news image

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vrasjes së mësimdhënëses në Prishtinë, nga burri i saj, duke theksuar se ky rast dhe të tjerët të ngjashëm janë një alarm që po qëndron i ndezur në vazhdimësi ndaj të cilit duhet të reagojë shteti dhe gjithsecili në përgjegjësinë që na takon.

LDK nëpërmjet një reagimi, ka thënë se mëngjesi i Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, erdhi me lajmin e kobshëm ku një grua u privua nga jeta nga burri i saj.

“Është koha e fundit që shteti e ne si shoqëri të veprojmë. Është koha e fundit që shprehja e ngushëllimeve të zëvendësohet me veprime konkrete për një mjedis të sigurt e kushte të barabarta për gratë. Vajzat e gratë duhet të jenë të sigurta, të mbrojtura e të barabarta. Dhuna e vrasja e grave nuk duhet të lejohet që të kaloj në normalitet. Ta privosh nga jeta një grua është humbje për një shtet e një shoqëri. Na takon të bëhemi përgjegjës për një jetë të dinjitetshme të secilës vajzë e grua. Kjo është një detyrë që duhet përmbushur domosdoshmërisht. Shteti duhet të veproj, drejtësia gjithashtu, si dhe familja e mbarë shoqëria. Është urgjente.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon që rastet e tilla të trajtohen me urgjencë e seriozitet maksimal nga organet e drejtësisë”, thuhet në reagim.

Ndryshe, sot e gjithë Kosova u trondit nga lajmi i trishtë për vrasjen makabre të mësimdhënëses së gjeografisë dhe historisë në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Dardania’ në Prishtinë, Sadije Godeni. Ajo dyshohet se u vra mizorisht nga bashkëshorti i saj, Izet Godeni.

Gazeta Sinjali që nga mëngjesi ka raportuar në detaje lidhur me rastin i cili ka tronditur të gjithë.

Vdekja tragjike e arsimtares Sadije ka tronditur kolegët dhe nxënësit e saj në shkollën ‘Dardania’, të cilët në nderim të saj sot kanë ndërprerë procesin mësimor.

Po ashtu, në nderim të mësimdhënëses, nxënësit kanë ndezur qirinj në oborrin e shkollës.

Sipas prokurorisë, 70-vjeçari dyshohet se e ka vrarë të ndjerën me sëpatë.

/GazetaSinjali/