Prokuroria Themelore në Prishtinë dyshon se Florim Bunjaku e vrau Mentor Kajtazin nga pakujdesia. Sipas zëdhënëses së Prokurorisë, Laureta Ulaj, kanë nisur hetimet për vrasjen në Pakashticë të Podujevës, shkruan Gazeta Sinjali.
Ulaj i tha Sinjalit se i dyshuari është ndaluar një person i dyshuar për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Lidhur me këtë rast për të cilin keni parashtruar pyetje ju njoftojmë se me urdhër të prokurores nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është ndaluar një person i dyshuar për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me urdhër të prokurores së çështjes viktima është dërguar në IML, për obduksion, derisa janë duke u ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore.
Ndryshe, sipas raportimeve në media, viktima dhe i dyshuari për vrasje ishin baxhanakë mes vete.
Ndërsa sipas njoftimit të Policisë, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy armë gjuetie.
“Dje rreth orës 16:00, kemi pranuar informatën për një rast të vrasjes që ka ndodhur në fshatin Pakashticë të Podujevës. Lidhur me këtë rast në vendngjarje, policia ka arrestuar një person të dyshuar: F.B mashkull 34 vjeç.”
“Në vendngjarje janë sekuestruar dy armë të gjuetisë. Viktimë në këtë rast është M.K (mashkull), 30 vjeç, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes“, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia njofton se hetuesit policorë janë duke punuar në koordinim me prokurorin për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/