image Vrasja e 18-vjeçares që tronditi vendin, i dyshuari kryesor ende në arrati - Krejt çka dihet deri më tani

Drejtësi

Vrasja e 18-vjeçares që tronditi vendin, i dyshuari kryesor ende në arrati – Krejt çka dihet deri më tani

news image

Vrasja e 18-vjeçares në Ferizaj, Marigona Osmani, nga dy të dyshuar, Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu, tronditi gjithë vendin. Dy të dyshuarit e lanë vajzën pa shenja jete në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt, më 22 gusht dhe ikën. I dyshuari Arbër Sejdiu është kapur, ndërsa Dardan Krivaqa, si i dyshuar kryesor është ende në arrati. Krivaqa, sipas familjarëve ishte martuar më viktimën që dy muaj. Banesën ku ata dyshohet se bashkëjetonin e ka bastisur mbrëmë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

Krejt çka dihet deri më tani për ngjarjen tragjike

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, dje njoftoi se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit Arbër Sejdiu, si i dyshuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”. Ai bashkë me Dardan Krivaqën, dyshohen për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani, në Ferizaj.

Në një njoftim, Prokuroria thotë se Arbër Sejdiu gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër Dardan Krivaqa ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës, ku, me këtë rast i njëjti (A.S.) ka kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në kryerjen e veprës penale.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.S.,më 22 Gusht 2021, gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër D.K., ka ushtruar dhune psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës, ku, me këtë rast i njëjti (A.S.) ka kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht në vdekjen e të ndjerës, ku më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur, me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.8 me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Dardan Krivaqa kishte disa raste, përfshirë edhe dyshime për vrasje

Para se Prokuroria të kërkojë masën e sigurisë ndaj të arrestuarit, Arbër Sejdiu, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, ka dalë në një konferencë për media ku ka dhënë detaje lidhur me rastin. Ai tha se i dyshuari Dardan Krivaqa, ka pasur një numër të madh të rasteve dhe ka qenë i dyshuar edhe për vrasje, shkruan Sinjali.

“I dyshuari ishte person i njohur me një numër të madh të rasteve, por të gjitha rastet janë të mbyllura. Ka qenë i dyshuar, i akuzuar për vrasje dhe raste të tjera të natyrave të ndryshme penale. Sa i përket personit të dytë është e vërtetë se është ngritur aktakuzë ndaj tij në vitin 2013 për tentim vrasje ende nuk është mbajtur shqyrtimi gjyqësor. Është caktuar 23 shtatori data për këtë”, ka thënë Jashari.

“Në momentin kur Policia ka dërguar foto së bashku me hetimin rajonal, kemi dyshuar në një person që është i njohur, por s’kemi guxuar të flasim derisa e kemi vërtetuar për sa i përket veturës, personi me inicialet A.S. jeton në Zvicër. Tabelat kanë qenë të padeshifrueshme, nuk ishin të sakta. Janë identifikuar shpejt personat. Nuk kemi pasur të paraqitur ndonjë rast që ai ka qenë duke bashkëjetuar me forcë me viktimën”, tha tutje Jashari.

Jashari po ashtu njoftoi se e gjithë ngjarja tragjike dyshohet se “ka ndodhur në banesë në dhomë dhe më pas personat e dyshimtë e kanë dërgu në spital, prokurori nuk ka qenë aty”.

Ai bëri të ditur gjithashtu se gjatë ditës së djeshme janë sekuestruar gjësende dhe telefona në banesën e të dyshuarit.

Prokuroria: 18-vjeçarja u keqtrajtua fizikisht nga dy persona

Në njoftimin fillestar të Prokurorisë thuhet se dy të dyshuarit e kanë keqtrajtuar fizikisht të ndjerën, e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, transmeton Gazeta Sinjali.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj,  me vendim të prokurorit, është ndaluar një (1) person i dyshuar, me inicialet A.S., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale  “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërsa, i dyshuari tjetër D.K., që gjendet ende në arrati, dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë dhe vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku me ç’rast i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Refuzimi i avokatit për ta mbrojtur të arrestuarin, Arbër Sejdiu

Avokati, Avni Hysiqi, ka refuzuar ta mbrojë të arrestuarin, Arbër Sejdiu, i cili bashkë me Dardan Krivaqën dyshohen për vrasje të rëndë. Gazeta Sinjali ka kontaktuar me avokatin Hysiqi, i cili ka thënë se nuk është i interesuar që ta mbrojë të dyshuarin.

“Nuk po kam mundësi me u marr me këtë rast. Edhe me konferenca për shtyp e sene. Edhe nuk jam i interesuar me e mbrojtë”, tha ndër të tjera ai për Sinjalin.

Tutje ai ka shtuar se prokuroria tashmë është njoftuar se ai nuk do ta përfaqësoj Arbër Sejdiun. Hysiqi ka deklaruar se ky rast është tepër i ndjeshëm dhe se i arrestuari duhet të gjejë një avokat tjetër për ta mbrojtur.

Policia kërkon ndihmë për gjetjen e Dardan Krivaqës

Gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim ku ka kërkuar bashkëpunim për gjetjen e të dyshuarit kryesor në rastin e vdekjes së 18-vjeçares nga Ferizaj, Dardan Krivaqës.

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi për një vajzë 18-vjeçare që u dërgua pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt, nga dy persona të dyshuar, Arbër Sejdiu dhe Dardan Krivaqa.

Reagimet pas vdekjes së 18-vjeçares

Në mesin e shumë reagimeve për vrasjen makabre të 18-vjeçares, Marigona Osmani, ka reaguar edhe halla e saj N.O., në rrjetin social Facebook.

Në profilin e saj në Facebook ajo ka postuar një foto të zezë ku ka shkruar  “Pushon në paqe, zemra e hallës”.

Njëkohësisht në një koment në Facebook ajo ka shkruar se i dyshuari e mori me forcë 18-vjeçaren dhe u martua me të. “E mori me forcë, e keqtrajtoi, na e solli të vdekur”, shkruhet ndër të tjera në Facebook.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, e shumë të tjerë, duke kërkuar dënim meritor për kryesit e kësaj vepre, duke i vënë kështu sa më shpejtë para drejtësisë.

Sot në Ferizaj do të protestohet nga ora 12:00, para stacionit policor në këtë qytet.

Kujtojmë se për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj që tronditi gjithë Kosovën, kanë shkruar edhe mediat gjermane.

/GazetaSinjali/