Prokuroria e Kosovës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ende nuk e kanë njoftuar opinionin me rezultatet e këtyre analizave, shkruan Gazeta Sinjali.
Rreth tre muaj më parë Kosova ishte tronditur nga lajmi se mbi 20 komisionerë të zgjedhjeve ishin helmuar nga votat e ardhura nga Serbia.
Më 13 tetor 2019, procesi i verifikimit të votave ishte ndërprerë, pasi zyrtarët e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve që kishin qenë në kontakt me zarfet me votat nga Serbia, ishin ankuar për shfaqjen e alergjisë në duar.
Kjo çështje që përnjëherësh bëri bujë duke shqetësuar popullatën, pas disa ditësh u hesht pothuajse tërësisht duke mbetur enigmë se çfarë në të vërtetë kishte ndodhur dhe për çfarë helmi bëhej fjalë, shkruan Gazeta Sinjali.
Prokuroria e Kosovës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, sot e asaj dite, nuk e kanë njoftuar opinionin me rezultatet e këtyre analizave.
Organi i akuzës që në tetor kishte njoftuar se ka nisur hetimet për këtë rast duke bërë të ditur se mostrat për analiza laboratorike janë dërguar jashtë Kosovës. Por, Prokuroria nuk kishte pranuar të tregojë se në cilin vend janë dërguar mostrat.
“Është gjetur një laborator në njërin nga shtetet e Evropës, ku edhe janë dërguar mostrat për analiza. Sapo t’i marrim rezultatet ne do t’i bëjmë publike për opinionin”, kishte thënë Artan Grantolli, nga Prokuroria e Shtetit
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani nuk ka dhënë detaje se çka ka pasur brenda zarfeve që u ka shkaktuar, siç ishte thënë, reaksione alergjie punonjësve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.Ai më 15 tetor kishte deklaruar se pas analizave të bëra për dymbëdhjetë pacientët e shtrirë e që ishin përballur me një reaksion teksa kanë qenë duke numëruar zarfet me vota të ardhura nga Serbia në Kosovë, kishte rezultuar se nuk kanë ndonjë shkaktar infektiv.
Mjekët të cilët kishin trajtuar mbi 20 zyrtarë të KQZ-së, kishin deklaruar se pacientët kanë manifestuar reaksione të ndryshme, si vjellje, skuqje në fytyrë, kruarje e tjera. /Gazeta Sinjali/