Gazeta Sinjali pak më herët raportoi për të shtëna me armë zjarri në fshatin Rudine të Zveçanit, ku po zhvillohej një aksion i Doganës së Kosovës në asistim me Policinë e Kosovës, kundër prodhimit ilegal të kriptovalutave.
Sinjali mëson se ka pasur një vonesë të pazakontë në lëshimin e urdhëresës për bastisje nga autoritetet e Gjykatës dhe Prokurorisë.
Si pasojë e kësaj vonese, personat të cilët kishin interes që ta sabotonin aksionin e bastisjes në lokacionin ku prodhoheshin kriptovalutat, shfrytëzuan situatën dhe nga distanca organizuan edhe të shtëna me armë automatike, thonë burimet e Sinjalit.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se derisa Policia dhe Dogana ishin në hyrje të lokalit ku duhej të ekzekutohej bastisja, ata kishin kontaktuar me pronarin i cili u kishte thënë se gjendet në Serbi dhe derën nuk mund t’ua hapë askush.
Përballë kësaj situate, personat përgjegjës për ekzekutimin e urdhëresës ishin detyruar që të kërkonin urdhëresë për hyrje me forcë, mirëpo kjo kërkesë për arsye jolegjitime, thonë burimet, ishte shtyrë derisa filluan edhe të shtënat me qëllim të zmbrapsjes së Policisë dhe Doganës nga vazhdimi i aksionit, shkruan Gazeta Sinjali.
Kujtojmë se për t’u realizuar një aksion policor në mënyrë të suksesshme, sidomos në pjesën veriore të vendit, është e rëndësisë jetike ndihma e institucioneve tjera të drejtësisë, ndihmë kjo që përveç se duhet të jetë e shpejtë, kërkon edhe ruajtje të konfidencialitetit të operacionit.
Rasti i sotëm duket që ka lënë hapësirë për përmirësim sidomos në efikasitetin e lëshimit të urdhëresës dhe ruajtjes së fshehtësisë së operacionit të nisur për të goditur prodhuesit ilegal të kriptovalutave.