image Vodhi perde në një motel në Lipjan, i akuzuari mungon në seancë

Siguri

Vodhi perde në një motel në Lipjan, i akuzuari mungon në seancë

news image

I akuzuari, Shemsi Vërbovci, ka munguar pa arsye në seancën e paraparë për sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, andaj ndaj tij do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Ai ngarkohet se vodhi perde në vlerë 70 euro në një motel në rrugën Lipjan-Shtime më 2019.

Gjykatësi Avdirrahman Gashi, për të akuzuarin Vërbovci ka thënë se, ekzistojnë provat se është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar e as nuk ka kërkuar shtyrje të seancës, andaj ka dështuar seanca.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, gjykatësi Gashi të njëjtën e ka shtyrë për  28 shtator të këtij viti.

Për sigurimin e të pandehurit  Vërbovci, gjykatësi Gashi ka thënë se do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Ndryshe, i pranishëm në sallë të gjykimit në seancën e sotme ishte Prokurori Besnik Jakupi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në qershor të 2020-ës ngriti aktakuzë kundër Shemsi Vërbovci, i cili ngarkohet se në gusht të vitit 2019 në rrugën Lipjan- Shtime, në motel “Swiss”, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë ka vjedhur nga dhoma e motelit perdet, me çka i ka shkaktuar dëm material të dëmtuarit në vlerë rreth 70 euro.

Me këtë ka kryer veprën penale “Vjedhja”, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet, raporton BetimipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

/GazetaSinjali/