Gjykata e Landit në Braunschweig në Gjermani ka shpallur aktgjykimin për dy kosovarët, të cilët akuzohen se kanë vjedhur makineri ndërtimi me vlerë prej 1.4 milionë eurosh, transmeton Gazeta Sinjali.
I akuzuari kryesor, kosovari 37-vjeçar është dënuar me pesë vjet burgim, ndërsa bashkëpunëtori i tij 36-vjeçar, me dy vjet e shtatë muaj burgim.
Dy të dënuarit kanë kërkuar falje pak para shpalljes së vendimit, shkruan Agjencia Gjermane e Lajmeve DPA. Procesi gjyqësor është shkurtuar ndjeshëm falë një marrëveshjeje në të cilën dy të akuzuarit kanë pranuar pothuajse në tërësi veprat që kanë kryer.
37-vjeçari, si i akuzuari kryesor ka vepruar midis dhjetorit 2019 dhe korrikut 2021 në mbarë Gjermaninë, në grupime të ndryshme me bashkëpunëtorë të ndryshëm, ku me një rrjet kompanish, emra fiktivë dhe pasaporta të falsifikuara, merrte me qira, mini-ekskavatorë, ngarkues me rrota dhe makineri tjera. Makineritë, ai akuzohet se nuk i ka kthyer, por i ka dhënë me qira ose i ka shitur, raporton albinfo.
Siç është njoftuar në gjykatë, ai është kontrolluar dhe monitoruar për një kohë të gjatë përpara se të bëhej goditja.
Të dënuarit, të cilët po ashtu po qëndronin ilegalisht në Gjermani, mund duhet të dëbohen pas vuajtjes së burgimit.