image Vjen reagimi nga shkolla “Faik Konica” pas sulmit seksual ndaj të miturës

Arsim

Vjen reagimi nga shkolla “Faik Konica” pas sulmit seksual ndaj të miturës

news image

Shkolla Fillore “Faik Konica” në Prishtinë, ka reaguar pas raportimeve të fundit për ngacmimin seksual të një të mitureje, që u bë në afërsi të po kësaj shkolle, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një reagimi të përbashkët nga Drejtoria e Shkollës, Këshilli i Prindërve dhe Këshilli Drejtues i Shkollës, theksohet se ka nisur trajtimi i rastit, me të marrë informacionet e para.

Theksohet gjithashtu se për rastin janë të informuar edhe prindërit e palëve të përfshira, derisa me fëmijët po merren edhe psikologët.

Reagimi i plotë:

Reagim i Drejtorisë së Shkollës, Këshillit të Prindërve dhe Këshillit Drejtues të Shkollës.

Sot në takim me menaxhmentin e shkollës, prindërit e klasave të ndryshme, anëtarët e Këshillit të Prindërve, Këshillin Drejtues dhe Drejtorinë e Shkollës kemi diskutuar në detaje për rastin që ka ndodhur në oborrin e shkollës në ditë fundjave/vikendi.

Fillimisht duam të ju konfirmojmë se Drejtoria e Shkollës, që nga pranimi i videos (dt. 24 prill) nga burime të paidentifikuara për rastin në fjalë, ka ndërmarrë të gjitha masat si brenda edhe jashtë shkollës, duke njoftuar prindërit e të dy palëve, Policinë e Komunitetit, Qendrën për Punë Sociale dhe organe të tjera kompetente, dhe të gjithë personat që kanë mundur të preken në mënyrë indirekte nga rasti.

Jemi njoftuar se të gjitha këto institucione janë marrë me rastin prej momentit të njoftimit (dt. 24 prill), dhe të njëjtët kanë udhëzuar Drejtorinë që rasti të mbahet në konfidencialitet të plotë në mënyrë që të ruhet mirëqenia e fëmijëve. Përtej kësaj, jemi njoftuar se rasti është trajtuar dhe është duke u trajtuar edhe nga psikologu i shkollës dhe një psikolog i jashtëm.

Ne si Drejtori e Shkollës, Këshill i Prindërve dhe Këshill Drejtues distancohemi nga të gjitha raportimet e pavërteta dhe linqime të fëmijëve, si dhe bëjmë ftesë nga të gjithë prindërit dhe më gjerë, që të përmbahen nga komentet që mund të rëndojnë gjendjen e fëmijëve.

Kërkojmë nga institucionet e rendit të ndërmarrin veprime ndaj të gjitha atyre që paraqesin rrezik ndaj fëmijëve, si përmes shpërndarjes se inqizimit/videos, ashtu dhe përmes abuzimit verbal.

Gjithashtu, lusim që të gjithë prindërit dhe nxënësit e shkollës, të keni bashkëpunim me kryetarët e klasave,  Drejtorinë e Shkollës, Këshillin e Prindërve dhe Këshillin Drejtues për trajtimin e rastit në mënyrë që fëmijët të mos ndihen të pasigurtë, prindërit të kuptojnë që rasti është trajtuar në detaje dhe mosdiskutimi i rastit në publik është bërë me qëllim të ruajtjes së gjendjes fizike e mendore të fëmijëve, sipas udhëzimeve të pranuara dhe nga policia, dhe jo heshtja siç është aluduar në media.

Ju faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme në të mirë të fëmijëve tanë.

Drejtoria e Shkollës, Këshilli i Prindërve dhe Këshilli Drejtues i Shkollës.

/Gazeta Sinjali/