image Flet drejtori i shkollës në Kijevë ku dyshohet se u sulmua seksualisht nxënësja: Vet e kom thirrë DKA-në edhe Policinë

Siguri

Flet drejtori i shkollës në Kijevë ku dyshohet se u sulmua seksualisht nxënësja: Vet e kom thirrë DKA-në edhe Policinë

news image

Një rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Kajtaz Ramadani’ në fshatin Kijevë të Malishevës, ku punëtori teknik, Naser Malisheva, dyshohet se ka sulmuar seksualisht një nxënëse 14-vjeçare. Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për detajet që lidhen me rastin, teksa ka kontaktuar edhe drejtorin e shkollës, Bedri Toplana.

Toplana ka deklaruar shkurt për Sinjalin se ka qenë ai që ka njoftuar Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Malishevës, e nga të cilët u udhëzua që rastin ta denoncojë menjëherë në Polici.

Sipas tij, me të denoncuar rastin, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka intervistuar personat e përfshirë në rast dhe dëshmitarët tjerë.

Jam pak nxanë. E kemi lajmëru DKA-në, DKA-ja më ka thanë lajmëro Policinë, e kom lajmëru Policinë janë ardhë i kanë marrë deklaratat e te dyve. E kanë marrë personin edhe personen. Deri në 11 të natës i kam dhanë informacione edhe unë Policisë atje, që kanë kërku prej tjerve me marrë deklaratën”, tha ai.

Drejtori i shkollës, mohoi të ketë pasur edhe më parë ankesa nga nxënësit kundrejt Malishevës, teksa ka bërë me dije se është në përgatitje të një përmbledhjeje lidhur me rastin të cilën do ta dërgojë në DKA.

Jo, jo, jo. Jam tu e ba nji proces lidhur se qysh ka ndodhë rasti muni me shku në DKA me i pytë tani se shumë, shumë nxanë jam”.

Ndërkohë, drejtoresha e Arsimit në Malishevë, Arbëreshë Krasniqi, ka thënë se rasti i Naser Malishevës është dërguar në komision disiplinor, ndërsa me procedurat tjera pritet të merren organet e hetuesisë.

Kujtojmë se Malisheva është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin. me urdhër të prokurorit ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.

Në kuadër të veprimeve hetimore në praninë e prindit dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale, është intervistuar vajza e mitur e cila ka deklaruar se e gjithë ngjarja ka ndodhur derisa ajo ishte në banjën e shkollës. Aty ajo u përball me të dyshuarin i cili e sulmoi seksualisht 14-vjeçaren, duke bërë që ajo të kërkojë edhe ndihmë mjekësore.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/