image Vjedhje e rëndë në Ferizaj: Hajni hap derën e një shtëpie me çelës, avullon rreth 14 mijë euro para e ari

Siguri

Vjedhje e rëndë në Ferizaj: Hajni hap derën e një shtëpie me çelës, avullon rreth 14 mijë euro para e ari

news image

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth, pasiguri e humbje të mëdha. Kështu e ka pësuar edhe një familje në rrugën “Ahmet Hoxha” në Ferizaj, ku dikush ka vjedhur një shumë të majme parash nga shtëpia e tyre.

Sinjali ka mësuar detaje për këtë rast të vjedhjes së rëndë që sipas informatave të para hajni nuk ka hyrë me forcë në shtëpi, por me çelës.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se pronari e ka denoncuar në Polici se dikush ka vjedhur nga shtëpia e tyre rreth 14 mijë euro, pjesa më e madhe para të gatshme, si dhe disa stoli të arit.

Sipas deklaratës së tij, ai e zbuloi vjedhjen posa u zgjua në orët e mëngjesit, kur edhe e kuptoi që i mungonin paratë dhe ari, me ç’rast menjëherë njoftoi Policinë.

Ai fillimisht ka deklaruar para hetuesve policorë se i dyshuari ka depërtuar brenda me forcë.

Pas raportimit të rastit, doli të jetë ndryshe pasi njësitë policore që i janë përgjigjur rastit dhe kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, konstatuan se hajni ka hapur derën me çelës.

Burimet thonë se lidhur me këtë rast me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.

/GazetaSinjali/