image Vjedhja e 2 milionëshit nga Thesari i Shtetit/ Gjykata ia vazhdon edhe për dy muaj paraburgimin Labinot Grudës - Sinjali

Vjedhja e 2 milionëshit nga Thesari i Shtetit/ Gjykata ia vazhdon edhe për dy muaj paraburgimin Labinot Grudës

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Labinot Grudës, i cili është i dyshuar për rastin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar, zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marr aktvendim dhe të pandehurit L.G i ka vazhduar masën e paraburgimit prej datës 18 janar 2021 deri me datë 17 mars 2021”, tha ajo për Sinjalin.

Në nëntor të vitit 2020, Gjykata Themelore e Prishtinës ia kishte vazhduar paraburgimin Labinot Grudës dhe të dyshuarit tjetër, Kadri Shalës edhe për dy muaj.

Grudës i ishte vazhduar deri më 18 janar 2021, kurse Shalës deri më 24 janar 2021.

Kurse, më 20 tetor të vitit të kaluar, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, u arrestua nën dyshimin se përmes katër transaksioneve ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.

Në llogarinë e “LDA Group” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.

/Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin