Avokati i Labinot Grudës thotë se klienti i tij nuk është përgjegjës për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i shtetit. Ai shprehet i bindur se pafajësia e Grudës do të dëshmohet pas kryerjes së hetimeve rreth këtij rasti.
Mbrojtësi i të dyshuarit për këtë vjedhje, ka treguar se për çfarë po akuzohet ish-punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, ndaj të cilit është caktuar pasa e paraburgimit prej 30 ditësh.
“Klienti im, Labinot Gruda, është i dyshuar në këtë fazë të procedurës për një vepër penale të parashikuar me Kodin Penal, konkretisht ‘keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’ nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 3”, tha ai.
Ai tha se nuk ka asnjë provë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën për të cilën po dyshohet.
“Dyshimet konkretisht janë të lidhura me ‘shpërdorimin apo tejkalimin e kompetencave të tij zyrtare’ si i punësuar në Thesar, e që konkretisht ne si mbrojtje gjatë procedurës, e cila deri më tani është udhëhequr në polici, prokurori dhe në gjykatë, nuk kemi vërejtur apo nuk kemi parë diçka konkrete involvuese në raport me të mbrojturin tim”, shpjegoi ai.
Avokati thotë se Gruda nuk është i vetmi i përfshirë në këtë rast dhe se ai nuk e ka kryer veprën për të cilën dyshohet.
“Ne nuk po themi se ka ndodhur gabim por i mbrojturi im nuk është involvuar në mënyrë individuale në këtë vepër penale. Nuk është z.Gruda. Në bazë të konsultave të mija me të njëjtin, i njëjti nuk e ka kryer këtë vepër penale. Është e mundur, kjo hetohet nga ekspertët e sigurisë. Në bazë të deklarimit të mbrojturit tim në asnjë mënyrë i njëjti nuk deklaron dhe e ka shpjeguar qartë, bindshëm dhe në mënyrë të argumentueshme se i njëjti nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim në këtë drejtim”, tha mbrojtësi i Grudës./Gazeta Sinjali/