image Vitia, Malisheva dhe Klina kërkojnë që të largohen nga karantina, sot pritet vendimi për to

Kosovë

Pandemi/ Vitia, Malisheva dhe Klina kërkojnë që të largohen nga karantina, sot pritet vendimi për to

news image

Kryetari i Vitisë, i Malishevës dhe ai i Klinës, që të tre kanë kërkuar që edhe këto komuna të largohen nga karantina pasi mbrëmë nga izolimi janë larguar Prishtina, Prizreni, Mitrovica e Veriut, Ferizaj e Suhareka.

I pari i Vitisë, Sokol Haliti për Gazetën Sinjali ka bërë të ditur se ka kërkuar që komuna të cilën ai e drejton të largohet nga karantina. Haliti ka thënë se i është premtuar që gjatë ditës së sotme do të merret një vendim i tillë.

Ai më tutje është shprehur se Vitia është komuna e parë e vendosur në karantinë dhe sipas tij qytetarët kanë nevojë për një lëvizje më të lirë, pasi gjendja është përmirësuar.

“Ne kemi bërë kërkesë dje, pas largimit nga karantina të komunave tjera disa vendimeve që i ka marrë ministri i Shëndetësisë, qeveria qendrore. Unë normalisht që kam reaguar dhe kam kërkuar që edhe Vitia të largohet prej karantinës. Tash e një kohë të gjatë është futë, e para komunë në Kosovë edhe me mbet e fundit, na nevojitet qarkullimi më i lirë i qytetarëve pas zbutjes së pandemisë. Ata mu më kanë premtuar për sot, por ta shohim venim tani. Tani e një kohë të gjatë kam kërkuar largimin”, ka thënë Sokol Haliti për Gazetën Sinjali.

Poashtu edhe kryetar i Malishevës, Ragib Begaj ka theksuar se ka bërë kërkesë që komuna të cilën ai e udhëheq të largohet nga karantina. Sipas tij, edhe nëse dalin nga izolimi, qytetarët duhet të kenë kujdes.

“Kërkesë e jona është me u largu Malisheva prej karantinës, ne ende nuk kemi konfirmim prej tyre. Banjën e kanë larguar e cila ka qenë në karantinë dy fish. Po presim, besoj, nuk kam komunikua me ta, ministri i Shëndetësisë punën e vetë e ka kryer. Është e pa kuptim me mbet vetëm Malisheva edhe Klina. Ne prapë me pas kujdes, tani njerëzit janë mësuar me pasojat”, ka thënë Begaj për Gazetën Sinjali.

Begaj ka theksuar se prej 76 raste të cilat kanë qenë të prekur me COVID-19, në këtë komunë nga 13 marsi, 17 thotë se janë në shërim e sipër, kurse 5 prej tyre gjenden në Klinikën Infektive.

Edhe kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka njoftuar se gjatë takimit me ministrin e Shëndetësisë, ka kërkuar që Klina të largohet nga karantina.

Në Kosovë deri më tani janë 823 persona të infektuar me koronavirus, prej tyre 336 janë shëruar dhe 22 kanë vdekur.

Komuna me më së  shumti të infektuar është Ferizaj me gjithsej 98 persona të prekur me Covid-19, ndërsa me më së paku është komuna e Obiliqit me vetëm 1 rast. /Gazeta Sinjali/