image VIDEO/ Tërmeti i fuqishëm 7.4 ballësh godet Japoninë, vdesin katër persona

Botë

VIDEO/ Tërmeti i fuqishëm 7.4 ballësh godet Japoninë, vdesin katër persona

news image

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë të Rihterit goditi brigjet e Fukushimës në Japoninë Veriore të mërkurën në mbrëmje, duke lënë katër të vdekur dhe mbi 100 të plagosur.

Valët e cunamit prej 30 centimetrave arritën në bregun në Ishinomaki, i cili shtrihet rreth 390 kilometra në Veri-Lindje të Tokios.

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, tha se katër persona kishin vdekur dhe se qeveria do të ishte në gatishmëri të lartë për mundësinë e lëkundjeve të tjera të forta gjatë dy deri në tre ditëve të ardhshme.

Të paktën 107 persona u raportuan të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë, me 4,300 familje ende pa ujë deri në mes të mëngjesit. Banorët e një qyteti të Fukushimës krijuan një radhë të gjatë në një parking për të mbushur rezervuarët plastikë me ujë për t’u përdorur në shtëpi.

Rrugët u plasaritën dhe uji derdhej nga tubat nën tokë, raporton Guardian.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se tërmeti goditi në orën 23:36 në një thellësi prej 60 kilometra nën det.

Më shumë se 2.2 milionë shtëpi ishin përkohësisht pa energji elektrike, duke përfshirë rajonin e Tokios, por energjia u rivendos në shumicën e vendeve deri në mëngjes.

Tërmeti tronditi pjesë të mëdha të Japonisë Lindore, duke përfshirë Tokion, ku ndërtesat u lëkundën.

Rajoni është pjesë e Japonisë Veriore që u shkatërrua nga një tërmet vdekjeprurës 9.0 ballë dhe cunami 11 vjet më parë, që shkaktoi gjithashtu shkrirjen e centraleve bërthamore, duke nxjerrë rrezatim masiv që ende i bën disa pjesë të pabanueshme.

/GazetaSinjali/