Lëvizja Vetëvendosje, Qendra e Prishtinës ka bërë të ditur se tre kandidatë për asamble të Prishtinës nuk do të ju certifikohen për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një njoftim për media nga LVV-ja thonë se Egzon Azemi, nuk është certifikuar, Leonora Shabani dhe Sokol Berisha.
“KQZ-ja na ka njoftuar që tre kandidatë tanë për asamblenë e Prishtinës nuk do të certifikohen për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Egzon Azemi, asamblisti aktual, njëherazi Sekretar i Qendrës së LV në Prishtinë, nuk u certifikua sepse ndaj tij është shqiptuar një dënim për pjesëmarrje në protestat që kundërshtuan Demarkacionin dhe ‘Zajednicën’. Padrejtësisht po diskriminohen edhe dy asamblistët tjerë, Leonora Shabani dhe Sokol Berisha. Arsyeja për këta të fundit thuhet se është vonesa disa ditore e tyre në deklarimin e pasurisë”, thotë LVV-ja.
“Arsye të tilla që parandalojnë pjesëmarrjen në zgjedhje të aktivistëve e disa nga asamblistëve më aktiv që kishte Kuvendi Komunal i Prishtinës janë të padrejta. Koha e ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë ka përfunduar, ligjet që barazojnë llojin e dënimit duke kufizuar kështu përfaqësimin demokratik ishin të regjimit të vjetër, në këtë mandat ne do të përkujdesemi që këto ligje të ndryshojnë. Është tjetër gjë nëse një krimineli të dënuar për krim e korrupsion i ndalohet kandidimi dhe krejt tjetër gjë nëse një ish protestuesi të dënuar i ndalohet diçka e tillë. Secili di ta bëjë këtë dallim, të cilin do të duhej ta bënte edhe vetë institucioni i KQZ-së.
Leonora, Sokoli dhe Egzoni edhe pse do të zëvendësohen në listë, do jenë bashkarisht pjesë e punës dhe fushatës në Prishtinë. Fitorja e Lëvizjes është e pashmangshme, bashkarisht do të i’a arrijmë”, thotë LVV-ja.