Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar letrën të cilën ia ka dërguar sot Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përmes kësaj letre, Kurti i ka bërë thirrje Mustafës që të kthehen e të diskutojnë për koalicion.
“Është për të ardhur keq që keni vendosur t’i ndërpreni takimet tona për koalicionin qeverisës duke më detyruar të shkruar letra thua se jemi kundërshtarë politikë apo jetojmë në kontinete të ndryshme. Unë besoj që ju, ose përfaqësuesit tuaj, duhet të ktheheni në tryezën e bisedimeve për t’u marrë vesh bashkë për qeverinë e re”, ka shkruar Kurti në letrën e tij.
Lideri i LV-së më tutje i ka bërë të qartë Mustafës se nuk do të diskutojnë për kryeparlamentarin, pasi që sipas tij kjo do të ishte jodemokratike.
“Mbi të gjitha është për të ardhur keq që ju vazhdoni të insistoni që ne të bëjmë marrëveshje për ta larguar Kryetarin e zgjedhur të Kuvendit të Repulikës, z.Glauk Konjufca. Për mua kjo qasje është jodemokratike”, ka shkruar tutje Kurti.
Mustafa para gazetarëve kishte thënë se këtë letër nuk e konsideron si përgjigje zyrtare dhe e vlerëson letër me cilësime nga ana e VV-së.
“Letrën do ta shohim dhe nuk e konsideroj letër zyrtare dhe që të jetë përgjigje zyrtare. Është një letër me cilësime të cilat nuk janë shumë zyrtare, por ajo çfarë unë mund të ju them është se ne jemi të interesuar ta përmbyllim këtë proces”, kishte deklaruar Mustafa./Gazeta Sinjali/