image Vetëvendosje i përgjigjet Mustafës për postin e kryeministrit

Politikë

Koalicioni/ Vetëvendosje i përgjigjet Mustafës për postin e kryeministrit

news image

Pas deklaratave të kreut të LDK-së Isa Mustafa, se LDK nuk do te hynë në koalicion me asnjë subjekt politik, e as me Vetëvendosjen me kushtin që të heq dorë nga posti i kryeministrit, ka reaguar lëvizja Vetëvendosje.

Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, ka thënë se emri i kryeministrit duhet te dale nga populli e jo nga marrëveshja politike.

“Së pari, ne konsiderojmë që ndryshimi pozitiv në Kosovë ndodh kur ne i heqim nga diskutimi emrat ose kushtëzimet për kryeministër. Kosova ka aq shumë probleme dhe i gjithë fokusi jonë duhet të përqendrohet në prioritetet qeverisëse. Ne nuk bëhemi pjesë e marrëveshjeve për emrin e kryeministrit. Për të qenë kryeministër, kandidati për kryeministër, besimin duhet ta merr nga populli dhe jo nga marrëveshjet nga të cilat kanë dal emra kryeministrash, pa mbështetje nga populli. Pasojat i kemi parë edhe gjatë ish qeverisjes Haradinaj. Kjo mendësi duhet të përfundoj.”, ka thënë Haxhiu për Gazetën Sinjali.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, deputetja Haxhiu ka thënë po ashtu se nuk beson që deklarata të tilla e zbehin dhe e bëjnë më të vogël mundësinë e një koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së.

“Ne kemi pasur takime, u kemi treguar që prioritet për ne janë lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, arsimi, drejtësia, zhvillimi ekonomik, shëndetësia, nëse duam koalicion dhe front politik të përbashkët e të fuqishëm, duhet të veprojmë seriozisht. Nëse s’ka vullnet por kapriço individuale, ne nuk kemi kohë për të humbur. Lëvizja jonë dhe kryetari ynë edhe në 2017 por edhe në sondazhet e fundit, del të jetë subjekti i parë me përkrahjen më të madhe, po ashtu edhe Albini.”, ka thënë deputetja Haxhiu.

Ajo ka thënë po ashtu se LDK ka kohë deri në fund të kësaj jave për t’u përcaktuar nëse është për ose kundër një koalicioni me Vetëvendosjen.

“Nesër është shpërndarja e Kuvendit, menjëherë duhet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Nëse LDK vazhdon me këtë qasje, javës tjetër ne vazhdojmë përgatitjet për të hyrë të vetëm. Ne jemi të bindur të dalim të parët por kuptohet që do të jetë betejë”, ka thënë deputetja e VV-së Albulena Haxhiu.

Ndryshe, kreu i LDK-së Isa Mustafa gjatë një interviste për RTV21, tha se partia e tij nuk është ë gatshme që të hyjë në koalicion për ta dhanë postin e kryeministrit.

“Me asnjë subjekt politik, jo vetëm me Vetëvendosjen, ne nuk do të hyjmë në asnjë koalicion parazgjedhor duke hequr dorë nga pozita e kryeministrit pasi llogarisim që jemi parti e parë, llogarisim që dimë të qeverisim, kemi përvoja por nuk e nënçmojmë asnjërën parti”, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Nesër mbahet seanca e Kuvendit në të cilën është paraparë që të votohet për shpërndarjen e kësaj legjislature. Seanca për dhënien fund të kësaj legjislature nisë në orën 10:00. /Sinjali/