image Veteranët e UÇK-së rregullojnë obeliskun e dy ushtarëve amerikanë në Prizren

Veteranët e UÇK-së rregullojnë obeliskun e dy ushtarëve amerikanë në Prizren

news image

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rregulluar obeliskun e dy ushtarëve amerikanë në Prizren i cili ishte dëmtuar pjesërisht nga kushtet atmosferike.

Ish-ushtarët e UÇK-së krahas rregullimit të pjesës së prapme të obeliskut kanë vendosur edhe një flamur të ri amerikan në memorialin kushtuar ushtarëve të ndjerë amerikanë, David Gibbs dhe Kevin Reichert.

Invalidi dhe veterani i UÇK-së, Hysni Rexhaj duke folur në emër të grupit ka theksuar për Kohën se dy të rënët amerikanë në vitin 1999 meritojnë respekt meqë kanë ndihmuar popullin e Kosovës në kohë të vështira.

“Ne premtuam se do ta rregullojmë këtë memorial të dëmtuar dhe sot e realizuam këtë zotim”, ka thënë Rexhaj.

Ai bashkë me një grup të shokëve të luftës kanë bërë homazhe para pllakës përkujtimore të dy ushtarëve amerikanë.

Ushtarët e ndjerë amerikanë, David Gibbs dhe Kevin Reichert, kishin humbur jetën në maj të vitit 1999, pas rrëzimit të helikopterit “Apache” gjatë një fluturimi rutinor në afërsi të kufirit Shqipëri-Kosovë.

Obelisku në Prizren në nderim të tyre ishte përuruar me 26 maj të vitit 2014, me rastin e shënimit të Ditës së Përkujtimit të ushtarëve amerikanë që kanë rënë gjatë shërbimit në forcat e armatosura./Gazeta Sinjali/