Gjatë muajit nëntor, tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë ka pësuar deficit më të lartë për 9.2% në raport me periudhën e njëjtë të para një viti.
Në raportin “Statistikat e tregtisë së jashtme, nëntor 2019” të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se eksporti mbulon importin me 11.9%, shkruan Gazeta Sinjali.
“Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2019 kishte vlerën 35.3 milionë euro, ndërsa importi 297.6 milionë euro që është një rritje prej 1.9 për qind për eksport si dhe 8.3 për qind për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018. Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit, 32.5 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 14.1 për qind plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, 9.8 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 7.6 për qind produktet minerale, 6.3 për qind produktet bimore, 5.9 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike dhe 5.8 për qind artikuj të ndryshëm të prodhuar”, thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërsa, raporti tregon se sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë 13.7% produktet minerale, 13.5% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 12.4% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.5% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 8.6% mjetet e transportit, 6.9% produkte të industrisë kimike dhe 6.5% plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre.
Eksportet e Kosovës me vendet e Bashkimit Evropian arritën në 15.6 milionë euro, kurse importet 141.6 milionë euro.
“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 15.6 milionë euro ose 44.1 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 48.8 për qind. Partneret kryesor për eksportin e mallrave në BE janë Italia me 14.1 për qind, Gjermania me 10 për qind, Holanda me 4.6 për qind dhe Britania e Madhe me 2.2 për qind. Ndërsa importet ishin 141.6 milionë euro ose 47.6 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12.5 për qind. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga Gjermania me 13.5 për qind, Italia me 5.5 për qind, Bullgaria me 3.8 për qind, Sllovenia me 3.3 për qind dhe Polonia me 3.3 për qind”, vijon raporti.
ASK në raport thotë se Kosova drejt vendeve të CEFTA-s ka arritur të eksportojë 13.7 milionë euro, ndërsa ka importuar 41.3 milionë euro. /Gazeta Sinjali/