Vetëm dymbëdhjetë orë pas vendimit të qeverisë në detyrë për largimin e tarifës prej 100% ndaj produktet serbe e boshnjake, në Kosovë kanë hyrë gjashtëmbëdhjetë kamionë me mallra nga Serbia. Tre prej tyre, gjatë së mërkurës kanë kaluar nëpër pikën kufitare në Merdare.
Sipas zyrtarëve doganorë të kësaj pike, të tre këta kamionë kanë sjellë lëndë të parë në Kosovë, raporton koha.
Nga ora 12 e mesnatës së 31 marsit, me vendim të qeverisë në detyrë mallrat me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë liruar nga tarifa prej 100%.
Kujtojmë që, më 20 mars qeveria, tani në detyrë, kishte vendosur heqjen e tarifës vetëm për lëndën e parë. Pas këtij vendimi, në Kosovë për nëntë ditë u futen 146 kamionë të cilët importonin lëndën e parë./Gazeta Sinjali/