Kompozicioni skulptural “Hasjanet” me autor Luan Mulliqi, është vendosur sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi tha se pavarësisht se viti që po e lëmë pas ka qenë sfidues në pjesën e kulturës dhe artit, artistët nuk janë ndalur me punën e tyre.
Ajo u shpreh se është e lumtur që një vepër e tillë në të cilën tregohet historia e gruas hasjane në etapa të ndryshme, është vendosur në kryeqytet.
“Ky vit ka qenë shumë sfidues në pjesën e kulturës dhe artit, por artistët s’ka që i ndalon, shpirti i tyre gjithmonë punon dhe na sjellin artin më të bukur dhe më fisnik. Unë jam sot e nderuar që jam mysafire e akademik Luan Mulliqit i cili na ka bërë krenar jo vetëm në vendin tonë por edhe jashtë vendit me skulpturat e tij, me emrat më eminent të historisë sonë, por edhe të fytyrave ndërkombëtare të cilat kanë dhënë kontribut të madh. Si ministre e Kulturës ndihem më e fuqishme si grua dhe si bijë e këtij vendi, që mbas meje janë skulpturat e gruas hasjane e cila jo përveç që i shohim, por tregojnë historinë e gruas dhe rëndësinë që e ka pasur nëpër etapa të ndryshme. Kjo është edhe një falënderim i madh që dua të ia bëjë akademik Luan Mulliqit i cili edhe fuqizimin e femrës gjithmonë e ka parësor”, tha Dumoshi.
Kurse autori i kësaj vepre, Luan Mulliqi theksoi se koncepti i kësaj vepre ka të bëjë me një amanet që i lihet trashëgimtarëve.
“Është kënaqësi e veçantë që tashmë në hapësirat publike kemi një vepër të artit me një temë të veçantë të hasjanëve e cila është trashëgimia më autoktone që e kemi dhe më vjen mirë që sonte po i kremtojmë dy ditëlindje. Njëra është ditëlindje familjare që ka të bëjë me mbesën time dhe të njëjtën kohë është një ditëlindje e një monumenti i cili si një monument pasqyron trashëgiminë familjare. Vet koncepti i kësaj vepre ka të bëjë me një amanet që i lihet trashëgimtarëve që atë që ne nuk kemi mund të arrijmë që ata të punojnë që të jenë më të avancuar në pikëpamje edhe shoqërore edhe kombëtare më shumë se ne”, tha ai.