Pasi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshme votën e Etem Arifit për Qeverinë Hoti, e cila ishte vota e 61-të për votimin e kësaj qeverie, vendi do të shkojë në zgjedhje, shkruan Gazeta Sinjali.
Ashtu siç e përcakton Kushtetuta, presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, që dy ditë është duke zhvilluar takime me liderët e partive politike për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Partitë politike nuk mund të dorëzojnë listat e tyre në Këshillin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nëse nuk i kanë paguar të gjitha gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), gjatë fushatës zgjedhore të kaluar dhe asaj të zgjedhjeve komunale në Podujevë e Mitrovicë të Veriut.
Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku, ka thënë se të gjitha partitë politike i kanë paguar detyrimet financiare që i kanë pasur në këtë panel, përveç një koalicioni.
Desku tha se gjobat e PZAP-së nuk i ka paguar vetëm koalicioni “Sloboda”, i cili ka 5 mijë e 100 euro borxh.
“Vetëm Koalicioni ‘Sloboda’ ka borxh 5 mijë e 100 euro. Te gjitha subjektet tjera politike i kanë paguar gjobat për zgjedhjet e kaluara. Borxhin prej 20 mijë euro e ka paguar edhe Lista Serbe për dënimin e shqiptuar nga PZAP-i në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në Komunën e Mitrovicës së Veriut”, thuhet në përgjigjen e Deskut për Gazetën Sinjali.
Borxhi i përgjithshëm që subjektet politike kishin në PZAP ishte 380 mijë e 700 euro, nga këto 20 mijë euro ishte gjoba që mori Lista Serbe në zgjedhjet e fundit komunale në Mitrovicën e Veriut.
Borxhet që kishin partitë politike në PZAP:
1.LDK = 74,850.00 euro,
2.PDK = 100,100.00 euro,
3. LVV = 14,100.00 euro,
4. Lista Serbe = 36,500.00 euro + 20,000 euro.
5. Koalicioni AAK-PSD = 89,600.00 euro,
6. Koalicioni Nisma – AKR – PD = 33,900.00 euro,
7. PREBK = 250.00 euro
8. IRDK Lendrit Qeli = 1,200.00 euro,
9. Koalicioni Sloboda = 5,100.00 euro, nuk i ka paguar ende.
10. PLE = 1,100.00 euro,
11. VAKAT = 1,100.00 euro,
12. KDTP = 1,100.00 euro,
13. PG = 1,100.00 euro./Gazeta Sinjali/