image Vëllezërit Bytyqi në Prizren bien në pranga të Policisë, u përfshinë në një rrahje në restorantin 'Oda'

Siguri

Vëllezërit Bytyqi në Prizren bien në pranga të Policisë, u përfshinë në një rrahje në restorantin ‘Oda’

news image

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga përleshjet në lokale e hapësira te frekuentuara me të madhe nga qytetarët.  Shpeshherë personat të cilët përfshihen në incidente te tilla janë pikërisht ata që janë të thirrur për të ofruar siguri e për të respektuar klientët. Kështu  ka ndodhur me Ilirjan Bytyqin, punëtorin e sigurimit në lokalin “Barbon” në Prizren, i cili u arrestua majin e kaluar pasi e rrahu një vajzë dhe më pas u la i lirë. Por pas një muaji ai sërish ka rënë në prangat e Policisë, nën dyshimet se u përfshi në një përleshje të mërkurën, raporton Gazeta Sinjali.

Bytyqi po dyshohet se bashkë me vëllain e tij, Avni Bytyqin dhe tre të tjerë janë rrahur me njëri-tjetrin, të mërkurën pas mesnate, në restorantin “Oda” dhe për pasojë u arrestuan nga Policia. Sinjali ka raportuar për këtë rast ku fillimisht informacionet ishin se Bytyqi ishte viktimë, por pas nisjes së hetimeve, hetuesit policorë e zbuluan se dy vëllezërit Bytyqi ishin të dyshuar për këtë rast të rrahjes.

shaip
Ilirjani në të majtë dhe Avniu në të djathtë

Kjo bëri që Policia të aktivizohet dhe t’i arrestojë të dyshuarit, ndaj të cilëve më pas është nxjerrë aktvendim për ndalim policor. Bashkë me Bytyqin, në mbajtje janë dërguar edhe të dyshuarit Jet Ukaj, Bashkim Muqaj dhe Liridon Ukaj.

Ata po dyshohen se pas një mosmarrëveshje të momentit, derisa ishin nën ndikimin e alkoolit, janë rrahur keq me njëri-tjetrin, duke pësuar lëndime trupore, për çka u dërguan fillimisht në spital.

Por çfarë dihet për përleshjen në Barbon?

Bytyqi, duke qenë në pozitën e punëtorit të sigurimit në lokalin “Barbon” në Prizren më 19 nëntor dyshohet se kishte sulmuar brutalisht dy vajza, kliente të kësaj kafeterie. Gjithçka dyshohet se ndodhi rreth orës 22:00, në lokalin Barbon, ku dy vajzat, njëra prej të cilave ishte përfshirë në përleshje, kanë pasur një mosmarrëveshje me punëtorin e dyshuar, konflikt ky që eskaloi në sulm fizik dhe për pasojë njëra prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Siç mëson Sinjali nga të njëjtat burime, njëra nga vajzat e dyshuara e kishte goditur me gotë Bytyqin, me të cilin paraprakisht u kapën. Aty situata vetëm sa eskaloi dhe Bytyqi pa një pa dy iu ishte kthyer me sulm, duke i goditur aq keq klientet, deri në atë pikë sa njërën prej tyre e ka tërhequr zvarrë nëpër lokal.

Si pasojë e goditjeve dhe rrahjes brutale, viktima ka pësuar frakturë në hundë, për çka ishte dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit për të marrë trajtim mjekësor.

Pas mbledhjes së informacioneve të para në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit kishte urdhëruar ndalimin e të dyshuarit në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Ilirjan Bytyqi – emër i njohur për Policinë

Bytyqi nuk është emër  i panjohur për organet e rendit, pasi dosja e tij është e pasur me vepra dhe raste të ndryshme në të cilat është përfshirë.

Gazeta Sinjali ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren informacione për të gjitha aktgjykimet e plotfuqishme që janë shpallur ndaj Bytyqit për veprat që ka kryer për 8 vjet dhe dënimet ndaj tij.

Sipas evidencës në Gjykatë del se Bytyqi më së shpeshti ka kryer veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” e “Lëndim i rëndë trupor”, për të cilat është dënuar me burgim e me gjoba. Ai është dënuar edhe për “Kanosje” e “Rrezikimi i Trafikut Publik”.

profili

Rasti i fundit për të cilin është dënuar ka qenë në shkurt të vitit të kaluar, teksa rasti i parë që nga viti 2013. Bytyqi i njohur edhe si problematik del se goxha shpesh është përfshirë në përleshje e rrahje në periudha të ndryshme, çka i ka kushtuar me dënim.

profili 2

Përveç veprave penale, Ilirjan Bytyqi dyshohet se ka kryer edhe rreth 100 vepra kundërvajtëse, shumica prej të cilave në komunikacion, thonë tutje burimet e Sinjali.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/