image Agim Veliu: Është e tepërt që Vetëvendosja ta ketë edhe kryeministrin edhe presidentin

Kosovë

Agim Veliu: Është e tepërt që Vetëvendosja ta ketë edhe kryeministrin edhe presidentin

news image

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, i ka bërë të qartë edhe një herë se Lëvizjes Vetëvendosje, se nuk i takon posti i presidentit dhe atij të kryeministrit. Sipas tij marrja e këtyre dy posteve është e tepërt.

“Nuk po bisedohet këtu për të lëshuar pe, po kjo është një kërkesë e LDK-së sepse ne mendojmë që ky pozicion në këtë raport forcash i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse edhe presidenti edhe kryeministri t’i takojë një subjekti në këtë raport të forcave është e tepër”, ka deklaruar Veliu.

Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shtuar se deri më tani nuk kanë ndonjë emër për personin që në vitin 2021 do të propozojnë për president, nëse arrijnë që të dakordohen me VV-në.

“Po ju them sinqerisht LDK nuk ka emër për president sot, kur të vjen koha ne do ta bëjmë publik edhe emrin”, ka thënë ai.

Më tutje ai ka thënë se nuk e di nëse Isa Mustafa dhe Albin Kurti do të takohen sot për të bërë një tjetër përpjekje për koalicion qeverisës.

Megjithatë Veliu ka bërë të qartë se LDK është e gatshme të bisedojë për koalicion qeverisës.

“Nuk e di a do të ketë sot takim, sepse ne sot jemi të angazhuar me aktivitete, por, kurdo që VV e vlerëson se ka hapësirë ende për tu takuar, ne jemi të gatshëm të bisedojmë”, ka përfunduar Veliu./Gazeta Sinjali/